Kryeministri kinez Li Qiang do të vizitojë Rusinë dhe Bjellorusinë këtë javë, njoftoi të hënën ministria e jashtme e Pekinit.
Vizita e Kryeministrit Li vjen ndërsa Kina dhe Rusia kanë rritur bashkëpunimin ekonomik dhe kontaktet diplomatike.
“Nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shteteve, marrëdhëniet Kinë-Rusi kanë eliminuar ndërhyrjen e jashtme dhe kanë ruajtur një zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve”, tha zëdhënësja e ministrisë së jashtme Mao Ning në një konferencë të rregullt për shtypin.
Ajo shtoi se vizita e zotit Li nga e marta deri të premten do të përfshijë "takimin e 29-të të rregullt midis krerëve të qeverisë kineze dhe ruse".
Zonja Mao tha se Kryeministri kinez planifikon të "shkëmbejë pikëpamjet mbi bashkëpunimin praktik në marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet me interes të përbashkët" në bisedimet me homologun rus Mikhail Mishustin.
Partneriteti strategjik i Rusisë dhe Kinës është forcuar më shumë që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë, të cilin Pekini nuk e ka dënuar asnjëherë.
Kina e paraqet veten si një palë neutrale në luftë dhe thotë se nuk po dërgon ndihmë ushtarake për asnjërën palë, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore.
Megjithatë, Kina është një aleat i ngushtë politik dhe ekonomik i Rusisë dhe anëtarët e NATO-s e kanë cilësuar Kinën si një vend që po luan rol vendimtar për të mundësuar luftën e Moskës në Ukrainë.
Udhëheqësi bjellorus Alexander Lukashenko vizitoi Kinën dy herë vitin e kaluar, duke premtuar në dhjetor se do të ishte një "partner i besueshëm" për Pekinin.
Bjellorusia varet shumë te Rusia për mbështetje politike dhe financiare. Territori bjellorus gjithashtu u përdor si pikënisje për sulmin e Moskës kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Ajo u bashkua zyrtarisht me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait në muajin korrik, duke u bërë anëtari i 10-të i saj. Blloku shihet nga Pekini si një kundërpeshë e mundshme ndaj rendit botëror të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Kina dhe Bjellorusia janë partnerë strategjikë”, tha zonja Mao të hënën.