Autoritetet ukrainase urdhëruan të hënën familjet me fëmijë që të evakuohen urgjentisht nga qyteti lindor i Pokrovskit, ku ushtria ruse po godet me shpejtësi, pavarësisht një inkursioni të rrufeshëm ukrainas në rajonin e Kurskut në Rusi.
Autoritetet lokale thanë se forcat ruse po përparojnë aq shpejt sa që familjet duhet të largohen nga qyteti dhe fshatrat e tjera përreth, duke filluar nga dita e martë. Rreth 53,000 njerëz ende jetojnë në Pokrovsk, thonë zyrtarët, ndërsa disa tashmë janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të kërcënimeve nga ushtria ruse.
Pokrovski është një nga bastionet kryesore mbrojtëse të Ukrainës dhe një qendër e rëndësishme logjistike në rajonin e Donetskut. Pushtimi i tij do të komprometonte aftësitë mbrojtëse dhe rrugët e furnizimit për ushtrinë e Ukrainës dhe do ta afronte Rusinë tek synimi i saj për të kontrolluar të gjithë rajonin e Donetskut.
Një nga përpjekjet e Kievit për të lehtësuar trysninë në frontin lindor ishte inkursioni i papritur i 6 gushtit në rajonin e Kurskut në Rusi, i cili ndër të tjera synonte të ushtronte trysni mbi Kremlinin dhe ta detyronte atë të ndante burimet e tij ushtarake.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski tha të dielën se inkursioni i guximshëm po përpiqet të krijojë një zonë neutrale, që do të mund të frenonte sulmet e mëtejshme të Moskës, veçanërisht me artileri me rreze të gjatë veprimi, raketa dhe bomba. Operacioni ukrainas brenda Rusisë po vazhdonte edhe të hënën.
Sulmet e pandërprera gjashtëmujore të Rusisë në rajonin e Donetskut pas pushtimit të Avdivkës kanë shkaktuar humbje të rënda në trupa dhe trupat mbrojtëse të Ukrainës nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të tërhiqen nga pozicionet e shkatërruara nga artileria, raketat dhe bombat ruse.
Rusia dëshiron kontrollin e të gjitha pjesëve të Donetskut dhe Luhanskut fqinj, të cilat së bashku përbëjnë rajonin industrial të Donbasit.
Banorët e Pokrovskit kanë vetëm dy javë për t'u larguar nga qyteti të sigurt, thanë zyrtarët në një intervistë për Radion Liria, që së bashku me Zërin e Amerikës dhe organe të tjera mediatike menaxhohet nga Agjencia Amerikane për Media Globale, që financohet nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët paralajmëruan javën e kaluar se forcat ruse po përparonin me shpejtësi dhe ishin vetëm 10 kilometra nga rrethinat e qytetit.
Oleksandr Syrskyi, shefi i shtatmadhorisë së Ukrainës, tha të hënën se "beteja të rënda" po zhvilloheshin në zonën e Pokrovskit.
Qyteti i afërt i Toretskut, pushtimi i të cilit do t’i hapte rrugën një avancimi rus në bastionin kyç të Çasiv Jarit nga jugu, është gjithashtu nën trysni të madhe nga sulmet ruse, tha ai.
Instituti për Studimin e Luftës tha se forcat ruse kanë përparuar afërsisht dy kilometra katrorë në ditë në rajonin e Pokrovskit gjatë gjashtë muajve të fundit.
Ato janë mbështetur në sulmet frontale të këmbësorisë nga fshati në fshat, duke shënuar progres në rritje për shkak të avantazhit në aspektin e numrit të trupave dhe pajisjeve, tha instituti me bazë në Uashington të dielën vonë.
Zyrtarët e Pokrovskit po takohen me banorët për t'u siguruar atyre detaje logjistike mbi evakuimin. Banorëve të kësaj zone u është ofruar strehim në Ukrainën perëndimore, në konvikte dhe shtëpi të veçanta të përgatitura për ata.