Nënpresidentja amerikane Kamala Harris njoftoi të premten një sërë propozimesh ekonomike që synojnë uljen e taksave, uljen e çmimeve të artikujve ushqimorë, strehimit dhe gjërave të tjera thelbësore për shumë amerikanë.
"Faturat po shtohen", deklaroi ajo, duke u përpjekur të trajtojë shqetësimet financiare, që janë përparësi kryesore për votuesit, dhe përpjekjet e republikanit Donald Trump për ta fajësuar atë për gjendjen ekonomike në vend.
Gjatë një fjalimi në shtetin e Karolinës së Veriut, Kamala Harris tha se "forcimi i klasës së mesme do të jetë një qëllim përcaktues i presidencës sime" ndërsa ajo shfaqi planin e saj për një ndalim federal të rritjes së çmimeve nga prodhuesit e ushqimeve dhe kompanitë e shpërndarjes së artikujve ushqimorë. Ajo gjithashtu propozoi 25,000 dollarë ndihmë për një kategori të blerësve të parë të shtëpive dhe stimuj tatimorë për ndërtuesit e shtëpive të reja.
“Çdo ditë në mbarë vendin tonë, familjet flasin për planet e tyre për të ardhmen, ambiciet e tyre, aspiratat e tyre për veten, për fëmijët e tyre. Ata gjithashtu flasin se si do të jenë në gjendje t'i realizojnë ato financiarisht, sepse faturat po rriten dhe po shtohen", tha zonja Harris. “Kemi shpenzimet për ushqimin, qiranë, karburantin, veshmbathje për kthimin e fëmijëve në shkollë dhe ilaçet. Pas gjithë këtyre shpenzimeve, për shumë familje nuk mbetet shumë në fund të muajit”, tha ajo.
Ajo theksoi uljen e taksave për familjet, si dhe për njerëzit me të ardhura të mesme dhe të ulëta, duke premtuar se do të zgjerojë kredinë tatimore të fëmijëve deri në 3,600 dollarë për fëmijë dhe 6,000 dollarë për fëmijët në vitin e tyre të parë të jetës.
Në përgjithësi, planet përfaqësojnë një vazhdimësi të shumë përparësive të administratës së Presidentit Biden.
Zonja Harris nuk po kërkon ndonjë largim radikal nga politikat e Presidentit Joe Biden, i cili u tërhoq nga gara për president muajin e kaluar dhe e mbështeti Nënpresidenten Harris. Megjithatë, zonja Harris ka përqafuar politikat populiste të ekonomisë, duke u zhvendosur nga përparësia e zotit Biden për krijimin e vendeve të punës dhe infrastrukturën në çështjet që lidhen më ngushtë me uljen e kostos së jetesës, si çmimet e ushqimeve, kostoja e banesave dhe uljen e taksave për familjet.
Pjesa më e madhe e asaj që ajo po propozon do të ketë nevojë për miratim nga Kongresit, një gjë që mund të jetë e vështirë për shkak të mjedisit të ashpër politik. Megjithatë, ekipi i fushatës së zonjës Harris ka ofruar detaje të pakta mbi mënyrën se si do të financoheshin këto propozime.
Nënpresidentja Harris po përpiqet të frenojë sulmet e ish Presidentit Trump ndaj saj, në të cilat e quan atë "një liberale radikale të Kalifornisë që shkatërroi ekonominë", siç tha ai gjatë një fjalimi të enjten, gjatë të cilit ai shfaqi artikuj të njohur të dyqaneve ushqimore për të nënvizuar koston e lartë të ushqimit.
Disa nga këshilltarët ekonomikë të zotit Trump kritikuan planet e zonjës Harris përpara se ajo të fliste të premten. Brian Hughes, zëdhënës i fushatës së ish-presidentit Trump, tha se propozimet e zonjës Harris janë përfaqësues të një "modeli socialist dhe autoritar".
Kevin Hassett, ish-kryetar i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë gjatë administratës së zotit Trump, e quajti "plotësisht absurde" idenë që qeveria të luajë një rol në përcaktimin e çmimit të ushqimeve, një referencë ndaj propozimit të zonjës Harris për ndalim federal të "rritjes së çmimeve të ushqimit nga korporatat".
Në fjalimin e saj, Harris ofroi kontraste të forta me propozimet ekonomike të zotit Trump, duke përfshirë thirrjen e tij për tarifa të larta për mallrat e huaja. Ajo tha se kundërshtari i saj “dëshiron të vendosë atë që është, në fakt, një taksë kombëtare e shitjes për produktet e përditshme dhe nevojat bazë që ne importojmë nga vendet e tjera”.
"Kjo do të nënkuptonte çmime më të larta për pothuajse çdo nevojë tuajën ditore", tha zonja Harris.
Anketat tregojnë se amerikanët kanë më shumë gjasa t'i besojnë zotit Trump se sa zonjës Harris në çështjen e menaxhimit të ekonomisë. Sipas anketave, rreth 45 për qind e amerikanëve thonë se zoti Trump është i pozicionuar më mirë në menaxhimin e ekonomisë, ndërsa 38 për qind e tyre mbështesin qasjen e zonjës Harris në këtë çështje.