Një këshilltar me ndikim i presidentit rus Vladimir Putin tha të premten se Perëndimi dhe aleanca e NATO-s e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar në planifikimin e sulmit të befasishëm të Ukrainës në rajonin Kursk të Rusisë, diçka që Uashingtoni e ka mohuar.
Ndërhyrja, më e madhja në Rusi nga një fuqi e huaj që nga Lufta e Dytë Botërore, filloi më 6 gusht, kur mijëra trupa ukrainase kaluan kufirin perëndimor të Rusisë.
Ukraina tha se inkursioni ishte i nevojshëm për ta detyruar Rusinë që të fillojë bisedime "të drejta" për paqen.
Por Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë perëndimore, që duan të shmangin një konfrontim të drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë, thanë se Ukraina nuk i kishte njoftuar paraprakisht për sulmin dhe se Uashingtoni nuk ishte i përfshirë, megjithëse sipas njoftimeve armatime të dërguara nga Britania dhe SHBA, janë përdorur në tokën ruse.
Veterani i Kremlinit Nikolai Patrushev hodhi poshtë pohimet perëndimore në një intervistë me gazetën Izvestia.
“Operacioni në rajonin e Kurskut ishte planifikuar gjithashtu me pjesëmarrjen e NATO-s dhe shërbimeve speciale perëndimore”, citohet të ketë thënë ai, pa ofruar prova. “Pa pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre të drejtpërdrejtë, Kievi nuk do të kishte hyrë në territorin rus”.
Komentet lënë të kuptohet se sulmi i parë që Ukraina e ka pranuar se ka ndërmarrë në territorin sovran rus, bart një rrezik të lartë për përshkallëzim.
Presidenti Putin drejtoi një takim të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, ku merrte pjesë zoti Patrushev dhe tha se në qendër të tij do të ishin "zgjidhje të reja teknike" që do të përdoren në operacionin ushtarak, siç e quan Rusia agresionin e saj në Ukrainë që filloi në vitin 2022.
“Përpjekjet e Uashingtonit kanë krijuar të gjitha parakushtet që Ukraina të humbasë sovranitetin dhe një pjesë të territoreve të saj”, tha zoti Patrushev.
Ukraina tha të enjten se kishte vendosur një komandant ushtarak në zonën që ka nën kontroll në Kursk, ndërkohë që Rusia intensifikoi ofensivën në lindje të Ukrainës.
Ministria ruse e mbrojtjes nga ana e saj tha se kishte zmbrapsur një sërë sulmesh ukrainase përgjatë vijës së frontit të Kurskut.
Sulmi ukrainas nxorri në pah dobësi në mbrojtjen ruse, por zyrtarët rusë thanë se "pushtimi terrorist" i Ukrainës nuk do të ndryshojë rrjedhën e luftës.
Presidenti Putin e sheh sulmin ukrainas si kalim të një vije të kuqe. Një burim rus i tha agjencisë Reuters se inkursioni mund të inkurajojë zërat e e vijës së ashpër në Moskë, të cilët kanë nxitur një luftë më të gjerë.
Presidenti rus e ka karakterizuar luftën më të madhe të Evropës prej shtatë dekadash si një "operacion special ushtarak" të kufizuar, që nuk duhet të ketë ndikim tek jeta e përditshme në Rusi dhe si një luftë historike në kushtet kur sipas tij Perëndimi shpërfill interesat e Moskës dhe kërkon të copëtojë Rusinë.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë thënë se nuk mund ta lejojnë Putinin të fitojë luftën në Ukrainë, deri tani e kanë paraqitur sulmin e befasishëm të Ukrainës si një veprim mbrojtës, që justifikon përdorimin e armatimeve të dërguara nga Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët në Uashington. Por ata shprehën gjithashtu shqetësime për komplikime, ndërsa trupat ukrainase përpiqen të përparojnë më thellë në territorin rus.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se nëse Ukraina fillon të marrë nën kontroll fshatra ruse dhe objektiva të tjerë joushtarakë duke përdorur armë dhe automjete amerikane, kjo mund t’u afrohet kufizimeve që ka vendosur Uashingtoni, pikërisht për të shmangur çdo perceptim të një konflikti mes NATO-s dhe Rusisë.
Ministria ruse e mbrojtjes ka publikuar pamje që tregojnë një dron rus duke shkatërruar një automjet të blinduar luftarak të prodhimit amerikan Stryker në rajonin e Kurskut.