Një anketë e organizatës Ipsos, e publikuar të premten, vuri në pah se imigracioni kryeson listën e çështjeve që britanikët i konsiderojnë më të rëndësishme, për herë të parë që nga viti 2016 kur Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian. Rezultatet pasuan trazirat e këtij muaji, që vunë në shënjestër myslimanët dhe emigrantët, tha organizata.
Sipas anketës së muajit gusht, pak më shumë se një e treta e britanikëve (34 për qind) e radhitën imigracionin si problemin më të madh, para kujdesit shëndetësor me 30 për qind, ekonomisë me 29 për qind, krimit me 25 dhe inflacionit me 20 për qind.
Për 11 për qind të të anketuarve, marrëdhëniet racore ishin çështja kryesore.
Migrimi i përgjithshëm në Britani, arriti një rekord të lartë në vitin 2022 me 764,000 mijë veta. Një vit më pas shënoi rënie në 685,000.
Sipas anketës, shqetësimet e publikut për imigracionin janë rritur pas trazirave në shumë qytete këtë muaj, në të cilat demonstruesit kundër imigracionit vunë në shënjestër hotelet ku strehonin azilkërkuesit dhe xhamitë.
"Ndikimi i trazirave të fundit në gjithë Mbretërinë e Bashkuar është i qartë në të dhënat e këtij muaji...shkalla e shqetësimit për krimin dhe marrëdhëniet racore është rritur gjithashtu...”, tha studiuesi i organizatës Ipsos, Mike Clemence.
Trazirat u shuan pasi një numër i të përfshirëve u arrestuan dhe shkelësit u dënuan me shpejtësi. Shumë njerëz morën pjesë edhe në tubimet kundër racizmit.
Anketa e organizatës Ipsos pasqyron një tjetër të publikuar nga YouGov javën e kaluar, e cila gjithashtu tregoi se imigracioni kryeson listën e çështjeve më të rëndësishme kombëtare, për herë të parë që nga viti 2016, kur shqetësimet për imigracionin ishin nxitësi kryesor i votimeve për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Ipsos anketoi 1,010 të rritur nga data 7 deri me 13 gusht, ndërsa YouGov anketoi 2,163 të rritur me 5 dhe 6 gusht.