Banorët e Ballkanit po shfrytëzojnë në shkallë të pashembullt ajrin e kondicionuar pasi temperaturat e verës po rriten dhe valët e të nxehtit po bëhen të zakonshme. Furnizuesit në Kosovë thonë se shitjet e njësive të ajrit të kondicionuar janë rritur në vitet e fundit.
Raba Peci nga Mitrovica thotë se kurrë nuk ka dashur të shfrytëzojë ajër të kondicionuar. Por, këtë vit, një varg valësh të nxehta në qytetin e saj të Mitrovicës në veri të Kosovës, më në fund bënë që ajo të ndryshojë mendje.
“Kjo verë është shumë e nxehtë dhe e padurueshme dhe kjo është arsyeja pse vendosëm ta blejmë një të tillë tani”, tha ajo.
Fqinji i saj tashmë kishte vendosur dy njësi të ajrit të kondicionuar.
"Deri tani ne u vonuam ditë pas dite, por kjo verë është shumë e nxehtë dhe kështu vendosëm t’i vendosim”, tha Ali Qarri.
Shumë veta në rajonin e Ballkanit kishin mosbesim prej kohësh në metodat e ftohjes artificiale.
Në disa zona, njerëzit madje shmangin pijet e ftohta dhe akulloret nga frika se mos ftohen.
Por temperaturat e larta të verës, si ato që po mbretërojnë këtë javë, po i ndryshojnë këto qëndrime.
Ky është një lajm i mirë për furnizuesit me aparate të ajrit të kondicionuar.
Menaxheri i shitjes në kompaninë “Interplast Group”, Rinor Gashi thotë se kërkesa për kondicionerë po rritet vazhdimisht.
“Besoj se duke krahasuar si kanë qenë gjërat në vitet e fundit, këtë vit do të kemi një rritje sepse moti është gjithnjë më i nxehtë. Po shohim kërkesa të mëdha jo vetëm për një AC në një shtëpi, por edhe dy, tre dhe katër njësi. Pra, kemi parë një rritje të njësive të instaluara brenda një shtëpie”, tha ai.
Të dhënat e doganave të Kosovës flasin për një rritje prej 400 për qind të importeve të njësive të ajrit të kondicionuar, gjatë pesë viteve të fundit.
Megjithatë, ajo po ngre shqetësime për ndikimin e konsumit në rritje të energjisë elektrike në një rrjet të brishtë të furnizimit.
Zëdhënësja e kompanisë për furnizimin me energji elektrike në Kosovë (Kesco) Margarita Rashiti, thotë se kondicionerët janë një sfidë pasi që vendi gjithmonë ka pasur konsum të lartë gjatë dimrit, por tani edhe gjatë verës.
"Klima është një problem dhe një sfidë për ne. Ne kemi parë një rritje të konsumit të energjisë gjatë dimrit kur njerëzit e përdorin atë për ngrohje, por këtë vit kemi pasur edhe të kundërtën, kur energjia tani po përdoret për ftohjen e shtëpive. I kuptojmë konsumatorët sepse temperaturat ishin shumë të larta”, tha ajo.
Më 16 korrik, kompania lëshoi një paralajmërim për klientët që të kufizojnë konsumin e energjisë, meqë është detyruar të importojë energji me vlerë prej një milion eurosh në ditë nga vendet fqinje.
Një muaj më parë, një rritje e konsumit gjatë një vale të të nxehtit, ka të ngjarë të ketë ndikuar në një ndërprerjeje të madhe të energjisë elektrike në Mal të Zi, Bosnjë, Shqipëri dhe pjesën më të madhe të bregdetit të Kroacisë duke shkaktuar probleme për bizneset dhe disa shërbime publike.
Ekspertët thonë se në afat të gjatë, vendet do të duhet të forcojnë rrjetet e tyre dhe të rrisin prodhimin e brendshëm të energjisë së ripërtërishme.