Lidhje

Vazhdon shtypja e mediave në Bjellorusi, 4 vite pas zgjedhjeve të kontestuara në vend


Bjellorusia dënoi me burg dy gazetarë të tjerë javën e kaluar, një veprim që organizatat e medias thonë se është në vazhdimësinë e një goditjeje ndaj mediave, që filloi me zgjedhjet e kontestuara të vitit 2020 dhe protestat e opozitës.

Një gjykatë në qytetin e Mogilevit dënoi gazetarin e pavarur Ales Sabaleuski me katër vjet burg dhe kameramanin Yauhen Hlushkou me tre vjet për akuza të lidhura me ekstremizmin. Ata gjithashtu morën gjoba prej 2,450 dollarësh, thanë vëzhgues të medias.

Akuzat janë të lidhura me punën e gazetarëve në organin e pavarur të lajmeve “6TV Bielarus”, sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve. Bjellorusia e ka vendosur më parë median “6TV Bielarus” në listën e organizatave ekstremiste.

Gulnoza Said, koordinatore e programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve për Evropën dhe Azinë Qendrore, dënoi gjyqin me dyer të mbyllura ndaj dy gazetarëve, që u zhvillua të mërkurën e kaluar, duke e quajtur sistemin gjyqësor bjellorus "të manipuluar".

Dënimet janë "një shembull tjetër i goditjes së pamëshirshme të autoriteteve bjelloruse ndaj punonjësve të shtypit", tha ajo përmes një deklarate.

Grupet e të drejtave të njeriut me bazë në Bjellorusi, përfshirë organizatën “Viasna”, lëshuan një deklaratë duke u bërë thirrje autoriteteve të lirojnë gazetarët dhe t’i japin fund përdorimit të ndjekjeve penale si formë e kufizimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Media dhe organizatat e mbrojtjes së lirive civile thonë se autoritetet bjelloruse kanë përdorur arrestimet dhe burgosjet për të goditur kritikët dhe zërat e opozitës që nga zgjedhjet e debatueshme presidenciale të vitit 2020. Protestat masive u përhapën në të gjithë Bjellorusinë atë vit, pasi Presidenti Alexander Lukashenko u votua për një mandat të gjashtë në këtë post.

Zgjedhjet u konsideruan gjerësisht si të manipuluara dhe udhëheqës të opozitës u burgosën apo u kërcënuan për kritikat ndaj procesit zgjedhor.

Zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së Zërit të Amerikës për koment.

Mes gazetarëve të arrestuar janë Ihar Losik dhe Andrey Kuznechyk, të cilët punonin për Radion Evropa e Lirë.

Në katër vjetorin e zgjedhjeve të premten, Shoqata Bjelloruse e Gazetarëve lëshoi një deklaratë të përbashkët me vëzhgues të tjerë, duke u bërë thirrje autoriteteve të lirojnë të gjithë punonjësit e burgosur të medias.

“Regjimi i Lukashenkos ka shtypur lirinë e fjalës dhe u ka hequr lirinë e gazetarëve për një kohë të gjatë”, thuhet në deklaratë.

Bjellorusia renditet e 167-ta nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit dhe konsiderohet si një nga vendet më të rrezikshme në Evropë për gazetarët.

XS
SM
MD
LG