Lidhje

Mbyllen Lojërat Olimpike në Paris – mirupafshim në Los Anxhelos


Parisi mbylli me fishekzjarrë dy javë e gjysmë të Lojërave Olimpike me një shfaqje të zhurmshme, të mbushur me yje në stadiumin kombëtar të Francës, duke i dorëzuar detyrat e organizimit për Lojërat Verore 2028 qytetit të radhës, Los Anxhelos.

Në një shfaqje të spektaklit hollivudian, aktori Tom Cruise zbriti nga maja e stadiumit francez nën tingujt e linjës muzikore të filmit "Mission Impossible" (Misioni i Pamundur), duke shtrënguar duart me atletët, përpara se ta merrte flamurin olimpik nga atleti Simone Biles, duke e vendosur atë në pjesën e pasme të motoçikletës dhe duke u larguar nga stadiumi.

Në një udhëtim të regjistruar paraprakisht pranë Kullës Eifel, aktori Cruise hipi me motoçikletë në një avion dhe më pas doli me parashutë mbi kodrat e Hollivudit.

Kjo ishte vetëm një nga pikat kryesore të ceremonisë përmbyllëse të Lojërave.

Për Los Anxhelosin, mund të jetë mision i pamundur t’ia kalojë Parisit. Kryeqyteti francez shfrytëzoi peizazhin spektakolar për Lojërat e tij të para në 100 vjet. Kulla Eifel dhe monumentet e tjera ikonike u bënë yje olimpike më vete, duke shërbyer si sfond dhe në disa raste si vende për garat.

Në një fjalim, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Thomas Bach, i cili qëndroi përkrah presidentit francez Emmanuel Macron gjatë shfaqjes, tha se Lojërat “mund të krijojnë një paqe kulturore që frymëzon botën”, duke vënë në dukje se atletët “respektuan njëri-tjetrin edhe nëse vendet tuaja janë të ndarë nga konfliktet”.

Stadiumi kombëtar, më i madhi i Francës, ishte një nga objektivat e sulmuesve vetëvrasës të Shtetit Islamik, të cilët vranë 130 njerëz brenda dhe përreth Parisit më 13 nëntor të vitit 2015. Gëzimi dhe festimet që përfshinë Parisin gjatë Lojërave, ndërsa atleti Leon Marchand dhe atletë të tjerë francezë grumbulluan 64 medalje, prej tyre 16 të arta, shënoi një pikë të rëndësishme në rimëkëmbjen e qytetit nga ajo natë terrori.

Shtetet e Bashkuara kryesuan sërish në tabelën e medaljeve, me 126 gjithsej dhe 40 prej tyre të arta.

Shqipëria dhe Kosova siguruan nga dy medalje olimpike.

XS
SM
MD
LG