Pas sulmeve të 7 tetorit, një organizatë e vogël joqeveritare po punon me të rinjtë izraelitë, palestinezë dhe amerikanë për të përgatitur drejtuesit e së ardhmes. Në kuadrin e këtij programi, 16 adoleshentë vizituan dhe morën pjesë në takime me përfaqësi diplomatike dhe organizata humanitare në Gjenevë. Pjesëmarrësit u përballën me pyetje të vështira për dialogun e mundshëm për konfliktin mes Izraelit dhe palestinezëve. Iniciativa të tilla për bashkëjetesën kanë hasur në vështirësi të mëdha, ndërsa sulmet e 7 tetorit shkaktuan ndasi të reja dhe të thella.
Adoleshentë nga Amerika dhe Lindja e Mesme, të krishterë, hebrej dhe myslimanë, marrin pjesë në programin për të udhëhequr përpjekjet për paqen.
Megjithëse shumë gjëra ndryshuan që nga sulmet e 7 tetorit dhe kundërpërgjigja ushtarake e Izraelit në Gazë, ata përpiqen me këmbëngulje për një të ardhme më të mirë për izraelitët dhe palestinezët. Programi “Jerusalem Peacebuilders”, i krijuar nga pastori Nicholas Porter dhe bashkëshortja e tij Dorothy, u ka mundësuar adoleshentëve vizita dhe takime për të kuptuar mekanizmat e institucioneve globale dhe demokracisë.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që në këto kohëra lufte dhe ndasish në Tokën e Shenjtë, ka njerëz që janë të gatshëm t’i kalojnë vijat ndarëse”, thotë pastori Porter.
Zemërata dhe urgjenca e krijuar bëri që shumë nga shkollat izraelite dhe arabe fillimisht ta anulonin pjesëmarrjen në këtë program, por më pas u rikthyen dalëngadalë. Megjithë ndasitë e thelluara, të rinjtë përqëndrohen tek marrëdhëniet e tyre personale dhe tek e ardhmja.
“Kishim frikë për familjet tona në 7 tetor, por tani jemi disi më të qetë pasi mund të flasim me njerëz që kanë përjetuar gjëra nga më të vështirat dhe të krijojmë një lidhje me njëri-tjetrin”, thotë Tina Shammas, e krishterë 17-vjeçare nga Nazarethi, i Izraelit verior.
Nga pjesëmarrësit e këtij grupi, gjashtë janë myslimanë, pesë janë hebrej dhe pesë janë të krishterë. Ata jetojnë në Izrael, në Bregun Perëndimor, në Lartësitë e Golanit dhe në Shtetet e Bashkuara. Disa janë optimistë, por edhe i frikësohen antisemitizmit apo ndjenjave anti-arabe që mund të jenë krijuar në mendjet e shumë njerëzve. Ata janë munduar të krijojnë miqësi të reja, megjithë diskutimet e vështira dhe tematikat përçarëse.
“Sigurisht që është e vështirë të kuptojmë historikun e njëri-tjetrit, por nëse dëgjojnë dikë tjetër të flasë, mësojnë se si të respektojnë opinionin e dikujt tjetri dhe të jenë me mendje të hapur”, thotë myslimani 29-vjeçar Zak Adileh, i cili drejton zyrën në Jeruzalem të këtij programi.
Ndër vizitat 8-ditore të këtij viti janë edhe ato tek Federata e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe, si dhe zyrat e OKB-së në Gjenevë. Disa prej adoleshentëve qëndruan në shtëpi këtë vit, për shkak të frikës nga diskriminimi dhe racizmi.
“Kam dy shokë që nuk mundën të vinin këtë vit. Patën frikë të vinin pasi mund të përballeshin me diskriminim, racizëm dhe anti-semitizëm. Janë të dy hebrenj”, tregon Ali Salmani, 17-vjeçar mysliman nga Lartësitë e Golanit.
16-vjeçarja Ary Hammerman ka lindur në Izrael dhe jeton në Nju Jork ku studion në shkollë hebreje. Ajo thotë se disa në komunitetin e saj, që mund të mos i njohin mirë myslimanët apo palestinezët, “besojnë vetëm perspektivën terroriste”. Ndërkohë personat që nuk janë hebrej e konsiderojnë Izraelin “një shtet kolonizues” dhe nuk e kuptojnë lidhjen e hebrejve me Izraelin”, thotë ajo.
“Mendoj se për mua ishte e vështirë të gjeja hapësirën e mesme edhe përpara sulmeve të 7 tetorit. Tani është edhe më e vështirë”, thotë Ary.
Organizime të tilla kanë hasur zakonisht në vështirësi që i kanë detyruar të mbyllen. Një grup i ngjashëm për të rinjtë që u krijua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit u mbyll në muajin mars. Por, këta të rinj vazhdojnë me këmbëngulje të shpresojnë për një të ardhme në paqe.