Lidhje

Dhjetë të vrarë, 35 të plagosur në sulmin rus në lindje të Ukrainës


Pamje nga sulmi rus me raketë ndaj dyqanit ushqimor në Kostiantynivka, më 9 gusht, 2024. Fotografia është shpërndarë në rrjetin social Telegram nga shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, publikuar nga agjencia Reuters
Pamje nga sulmi rus me raketë ndaj dyqanit ushqimor në Kostiantynivka, më 9 gusht, 2024. Fotografia është shpërndarë në rrjetin social Telegram nga shefi i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, publikuar nga agjencia Reuters

Një sulm me raketa i Rusisë goditi të premten një dyqan ushqimor në qytetin Kostiantynivka në rajonin e Donetskut, përgjatë vijës së frontit, duke vrarë dhjetë persona dhe plagosur 35 të tjerë, sipas zyrtarëve ukrainas.

Sulmi shkaktoi një zjarr, i cili më vonë u shua, sipas ministrit të brendshëm. Pamjet nga vendi i ngjarjes të postuara nga zyrtarët në rrjetet sociale, treguan objektin e përfshirë nga re të dendura tymi.

“Terroristët rusë qëlluan një dyqan ushqimor të rëndomtë dhe një zyrë postare. Njerëzit janë të bllokuar nën gërmadha”, shkroi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në rrjetin social X.

Shërbimet e emergjencave po bëjnë përpjekje për të shpëtuar të mbijetuarit, shtoi ai.

Fillimisht, guvernatori rajonal Vadym Filashkin tha se Rusia përdori artileri për sulmin, por më vonë njoftoi se sulmi ishte kryer me një raketë ajër-tokë X-38.

Nova Poshta, kompania më e madhe private postare e Ukrainës, tha se zyra e saj brenda dyqanit u dëmtua gjatë sulmit.

Shtëpi banimi, dyqane dhe dhjetëra vetura u dëmtuan nga sulmi, sipas deklaratës së ministrit të brendshëm të postuar në rrjetin Telegram.

Qyteti Kostiantynivka shtrihet rreth 13 kilometra nga vija e fronit në pjesën lindore të Ukrainës. Pjesët e Donetskut, të cilat kontrollohen nga Kievi, vazhdimisht sulmohen nga forcat ruse me bombardime dhe sulme ajrore.

Ky rajoni është një prej pjesëve me luftimet më të ashpra. Rusia e godet këtë zonë për të mbrojtur pikën e tyre strategjike logjistike në Pokrovsk.

Ndërkohë Rusia ka akuzuar Ukrainën këtë javë për një sulm në brendësi të Rusisë në rajonin e Kurskut. Ukraina nuk ka bërë komente lidhur me këtë operacion.

XS
SM
MD
LG