Qeveria e Shteteve të Bashkuara u shpreh “thellësisht e zhgënjyer” me ato që ajo i quaji “veprime të njëanshme dhe të pa bashkërenduara të qeverisë së Kosovës”, për mbylljen e degëve të Postës Serbe në veri të Kosovës.
“Veprimet e pa bashkërenduara i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe dëmtojnë emrin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë, në të cilën i bëhet thirrje qeverisë së Kosovës “që t’i jap fund çdo veprimi të mëtejshëm të njëanshëm dhe t'i kthehet angazhimit konstruktiv në bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
BE: Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës - hap i njëanshëm
Bashkimi Evropian reagoi po ashtu të hënën në mbrëmje ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mbyllur degët e Postës së Serbisë në veriun e banuar me shumicë serbe, duke e cilësuar atë “një hap të njëanshëm dhe të pa bashkërenduar, i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga BE-ja”.
Në një komunikatë për shtypin, blloku i bëri thirrje qeverisë së Kosovës “të rishqyrtojë vendimin e saj dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje” në kuadër të bisedimeve.
Policia e Kosovës njoftoi të hënën se ka kryer kontrolle dhe ka mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë, që vepronin pa licencë në veri të Kosovës, duke nxitur reagimin e zemëruar të Beogradit.
Policia tha se operacioni u krye me kërkesë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, institucion ky që është përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e ofrimit të shërbimeve postare në Kosovë.
Ky autoritet tha se objektet postare të Serbisë vepronin në mënyrë jolegale, të paregjistruara dhe pa licencë të institucioneve përkatëse
Bashkimi Evropian tha se si pjesë e marrëveshjeve në lidhje me Telekomunikacionet të arritura në vitin 2013 dhe Planit të Veprimit të vitit 2015, “të dyja palët ranë dakord të diskutojnë shërbimet postare ‘në një fazë të mëvonshme’, duke pranuar kështu se çështja mund të trajtohet vetëm brenda kuadrit të bisedimeve”.
BE-ja, thuhet në komunikatë, është e gatshme ta përfshijë këtë çështje në agjendën e takimit të ardhshëm të bisedimeve dhe pret që palët të dalin me ide konstruktive që mund të shërbejnë si bazë për zgjidhje.
Por, më herët të hënën Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare tha se në të kaluarën janë bërë përpjekje që çështja e operimit të postës të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, “por si pasojë e kundërshtimit nga pala serbe, kjo çështje asnjëherë nuk është trajtuar edhe pse është përmendur në ‘Marrëveshjen për Telekomunikacion”.
Operacioni nxiti reagime të ashpra të autoriteteve në Serbi dhe përfaqësuesve politik të serbëve në Kosovë. Sipas tyre “me veprimet e fundit në veri të Kosovës, qeveria e Albin Kurtit po synon të provokojë një konflikt”.
Bashkimi Evropian theksoi se “veprimet e njëanshme dhe të pa bashkërenduara nuk mund të ofrojnë zgjidhje për këtë apo ndonjë çështje tjetër që i përket procesit të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mbyllja e shërbimeve ekzistuese për serbët e Kosovës, pa ndonjë marrëveshje të re, do të ndikojë negativisht në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së këtij komuniteti”, thuhet në reagimin e BE-së.