Lidhje

Ukraina konfirmon mbërritjen e avionëve F-16


Pilotët ukrainas kanë filluar të përdorin avionë F-16 për operacione brenda vendit, tha të dielën Presidenti Volodymyr Zelenskiy, duke konfirmuar mbërritjen e shumëpritur të avionëve luftarakë të prodhuar nga SHBA, më shumë se 29 muaj pasi filloi agresioni rus.

Udhëheqësi ukrainas njoftoi për fillimin e përdorimit të avionëve F-16, që Kievi i kishte kërkuar prej kohësh, ndërsa takohej me pilotët ushtarakë në një bazë ajrore ku kishte dy avionë të tillë, ndërsa dy të tjerë fluturonin mbi ta.

"F-16 janë në Ukrainë. Ia dolëm. Jam krenar për djemtë tanë që kanë filluar t'i përdorin ata për vendin tonë," tha zoti Zelenskiy në një vendndodhje që autoritetet i kërkuan agjencisë Reuters të mos ta identifikonte për arsye sigurie.

Ardhja e avionëve është një moment historik për Ukrainën pas shumë muajsh pritjeje, megjithëse mbetet e paqartë se sa të tillë janë në dispozicion të tyre dhe sa ndikim do të kenë ata në përmirësimin e mbrojtjes ajrore dhe në fushën e betejës.

Rusia ka vënë në shënjestër bazat që mund t'i strehojnë ato dhe u zotua se do t'i rrëzojë.

Duke folur me gazetarët në pistën e një fushe ajrore, zoti Zelenskiy tha se Ukraina ende nuk ka një numër të mjaftueshëm pilotësh të trajnuar për të përdorur F-16, ose edhe numrin e mjaftueshëm të avionëve.

"Lajmi i mirë është se ne presim avionë F-16 shtesë... shumë nga ushtarët tanë po stërviten," tha ai.

President i Ukrainës u bëri thirrje aleatëve të Kievit të gjejnë mënyra për të zgjeruar programet e trajnimit dhe mundësitë si për pilotët ukrainas, ashtu edhe për ekipet inxhinierike.

XS
SM
MD
LG