Lidhje

Poloni, shënohet 80 vjetori i Kryengritjes së Varshavës


Presidentët e Polonisë dhe Gjermanisë nderuan të enjten polakët e vrarë nga Gjermania naziste gjatë Kryengritjes së Varshavës, të vitit 1944, në ceremoninë e 80 vjetorit të revoltës së shtypur nga nazistët.

Ndërsa Polonia shënonte këtë përvjetor të enjten, u njoftua edhe për vdekjen e të mbijetuarës më të moshuar të kësaj kryengritjeje, 106 vjeçares Barbara Sowa.

Ndërsa kanë mbetur pak të mbijetuar për të marrë pjesë në këtë përvjetor, ceremonia ishte një kujtim prekës i ndarjes nga jeta të brezit që sakrifikoi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti polak Andrzej Duda dhe presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier qëndruan së bashku, me kokat e përkulura, për të kujtuar ato ditë të gushtit të vitit 1944. Ata bënë homazhe për Masakrën Wola, vrasjen masive të civilëve të qarkut Wola të Varshavës, të kryer nga gjermanët nga 5 deri më 12 gusht 1944.

“Ata u nxorën nga shtëpitë dhe banesat e tyre, shtëpitë e tyre u dogjën dhe ata vetë u qëlluan në rrugë dhe trupat e tyre u dogjën. Disa ton hi u mblodhën në rrugët dhe sheshet e Wolas të cilat më pas u vendosën në një varr të përbashkët”, tha Presidenti Duda.

Koka e ulur e presidentit gjerman dhe gjestet e tjera simbolike sinjalizuan pendesë për krimet e atëherëshme të vendit të tij.

“Fakti që zoti Steinmeier vendos kurorë, përkul kokën, ulet në gjunjë përpara kryqit përkujtimor, duhet respektuar”, tha Presidenti Duda ndërsa fliste për pushtimin brutal nga viti 1939 deri më 1945.

Polonia vuajti shfarosjen e miliona qytetarëve të saj, të krishterë dhe hebrenj si dhe shkatërrimin pothuajse të plotë të kryeqytetit të saj.

Kryengritja e Varshavës filloi më 1 gusht 1944 nga një grup që funksiononte me urdhra të qeverisë polake në mërgim, me seli në Londër.

Qëllimi ishte të çlirohej kryeqyteti nga pushtuesit gjermanë dhe të merrnin kontrollin mbi vendin para avancimit të ushtrisë sovjetike. Moska, e cila kishte qëllim që të sundonte Poloninë pas luftës, nuk dërgoi ndihmë dhe mbajti forcat e saj të vendosura në anën tjetër të Lumit Vistula, ndërsa Varshava digjej dhe përgjakej.

Nazistët, të cilët kishin një ushtri më të fortë dhe më shumë armatime ndaj polakëve, vranë 200 mijë luftëtarë dhe civilë dhe rrafshuan qytetin për hakmarrje.

Sot, kryengritja kujtohet nga polakët si një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë të përpjekjeve për pavarësi, shpesh kundër Rusisë.

XS
SM
MD
LG