Gjermania feston këtë vit 35 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Për të shënuar këtë moment të historisë, është hapur një ekspozitë kushtuar ndërtesës ikonë komuniste "Pallatit të Republikës" që ngrihej dikur në Berlinin Lindor. Ekspozita është hapur në një godinë të sapondërtuar, që ndodhet në të njëjtin vend ku ngrihej dikur godina e shkatërruar.
Ky është Pallati i Berlinit, tashmë shtëpia e institucionit kulturor ‘Humboldt Forum’.
Për shkak të stilit të saj, pajisur me statuja me trumbeta të arta, mund të mendohet se është një ndërtesë e vjetër. Por nuk është e tillë. Objekti përfundoi vitin e kaluar.
Ky pallat është një imitim i pallatit të vjetër mbretëror prusian, që qëndroi në këtë vend deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Autoritetet e Gjermanisë Lindore e shkatërruan kështjellën e bombarduar në vitin 1950.
Për një kohë të gjatë vendi mbeti bosh derisa Gjermania Lindore komuniste ndërtoi në atë zonë një pallat të ri, Pallatin e Republikës, i cili u përfundua në 1976.
Pallati i infektuar me asbest u shkatërrua në vitin 2006, pas ribashkimit të Gjermanisë, për t'i hapur rrugë rindërtimit të kështjellës së vjetër prusiane.
Tashmë këtu është hapur një ekspozitë kushtuar Pallatin komunist të Republikës.
Një nga çështjet me të cilat u përball kuratorja Anke Schnabel ishin mendimet e ndryshme mbi Pallatin komunist të Republikës. Vendimi për prishjen e tij hasi në debate, pavarësisht niveleve të larta të asbestit.
"U zhvillua një debat tepër i ashpër se çfarë të bëhej me ndërtesën. Sigurisht që ishin të shumtë ata që protestuan kundër prishjes së pallatit dhe në të njëjtën kohë ishin të shumtë ata që ishin në favor të tij apo rindërtimit të Pallatit të Berlinit”, thotë ajo.
Këtë vit shënohen 35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit, më 9 nëntor të vitit 1989. Vendi u ribashkua zyrtarisht një vit më vonë. Vitet e ndarjes mund të ndihen ende në Berlin, me shumë monumente dhe ndërtesa komuniste që vazhdojnë të jenë ende në ish-Berlinin Lindor.
Megjithatë, Pallati i Republikës, ku ndodhej parlamenti i Gjermanisë Lindore, si dhe teatri, prodhimet muzikore dhe ekspozitat e artit, ka humbur pa lënë gjurmë.
Kjo është një nga arsyet se pse ‘Forumi Humboldt’ donte të organizonte një ekspozitë për pallatin e vjetër, me objekte të tilla si piktura dhe mobilje që i përkisnin dikur asaj ndërtese.
“Kanë kaluar 35 vjet nga rënia e Murit të Berlinit dhe përvjetorët gjithmonë nxisin reflektim. Shumë të rinj janë të interesuar për të kaluarën dhe e vizitojnë ekspozitën. Gjyshërit shpesh sjellin nipërit dhe mbesat e tyre për të mësuar prej saj”, thotë zonja Schnabel.
Por, Pallati i ri i Berlinit ka nxitur debate kryesisht për shkak të përzierjes së një stili të vjetër e të ri arkitekturor. Disa mure janë të zbukuruara e të ndërtuara sipas stilin barok të shekullit të 19-të, ndërsa të tjerë janë modernë dhe minimalistë.
Por shumë njerëz e vlerësojnë këtë kombinim.
“Shumë bukur. Është bukur të shohësh të renë dhe të vjetrën së bashku. Këtë mund ta shihni në shumë vende”, thotë Claudia Lehle, një turiste nga Zvicra.
“Kanë bërë një punë të shkëlqyer duke kombinuar të vjetrën me të renë. U futëm brenda dhe u ngjitëm deri në majë, ku kishte një pamje të mrekullueshme. Gjë e jashtëzakonshme", thotë Roland Lehle, një tjetër vizitor.
Ekspozita mbi Pallatin e Republikës do të jetë e hapur deri më 16 shkurt të vitit 2025.