Udhëheqësi i grupit militant Hamas Ismail Hanijeh u vra të mërkurën në mëngjes në një sulm ajror pas të cilit dyshohet se qëndron Izraeli. Ai u vra në Teheran, vetëm disa orë pasi mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Iranit.
Vrasja e tij ndodh në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe shtetet në rajon po përpiqen të parandalojnë përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe shton shqetësimet për një luftë të hapur rajonale.
Udhëheqësi i lartë i Iranit Khamenei u zotua se do të hakmerret, ndërkohë që zyrtarët amerikanë thanë se nuk ishin në dijeni dhe të përfshirë në sulm ndërkohë që bënë thirrje për vazhdimin e negociatave për të shmangur luftën.
Në deklaratën e parë që pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli do të "përgjigjet ashpër ndaj çdo agresioni ndaj nesh në çdo front”, por nuk e përmendi vrasjen e udhëheqësit militant. “Na presin ditë sfiduese”, shtoi ai.
Roja Revolucionare e Iranit dhe grupi militant Hamas njoftuan se udhëheqësi i Hamasit, Ismail Hanijeh është vrarë në Teheran në një sulm ajror të mërkurën para agimit. Ai u vra në rezidencën që e shfrytëzonte gjatë qëndrimit në kryeqytetin iranian, pak orë pasi ishte parë duke buzëqeshur dhe shtërnguar duart me të pranishmit në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri të Iranit dhe pas takimit me udhëheqësin e lartë të Iranit Ayatollah Ali Khamenei.
Lajmi për vrasjen e tij u publikua nga televizioni shtetëror iranian.
Ndonëse askush nuk mori përgjegjësi për vrasjen, dyshimet menjëherë ranë mbi Izraelin, i cili është zotuar të vrasë udhëheqësit politik të grupit militant Hamas për shkak të sulmit të 7 tetorit ndaj vendbanimeve izraelite.
Irani dhe Hamasi akuzuan Izraelin për atentatin, i cili vjen në një moment kur Shtetet e Bashkuara dhe shtetet tjera po përpiqen të parandalojnë një luftë të hapur në Lindjen e Mesme.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të njoftuara paraprakisht për atentatin dhe se nuk ishin të përfshira në vrasjen e tij. Ai refuzoi të spekulonte mbi ndikimin e vrasjes së Hanijes në bisedimet për armëpushim në Gazë, por tha se incidenti e bën arritjen e një marrëveshjeje edhe më të rëndësishme për t’i dhënë fund vuajtjes së civilëve, për të liruar pengjet që po mbahen nga Hamasi dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
“Nuk ishim në dijeni dhe nuk ishim të përfshirë,” deklaroi Sekretari Blinken gjatë vizitës në Singapor.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes Loyd Austin ndërkohë tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë përpjekje maksimale për të parandaluar përshkallëzimin.
“Do të bëjmë çmos për t’u siguruar që situata nuk zhvillohet në një konflikt më të gjerë në tërë rajonin… Nëse Izraeli sulmohet ne do të ndihmojmë ta mbrojmë Izraelin. E kemi bërë këtë në prill dhe mund të prisni që ta bëjmë sërish të njejtën gjë. Por nuk duam që të vijmë deri në atë pikë. Do të punojmë për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe përmes mjeteve diplomatike," tha ai.
Në një deklaratë për media, udhëheqësi i lartë i Iranit Khamenei tha se e konsideron “hakmarrjen për të si detyrim” dhe se Izraeli “ia ka përgatitur vetes një dënim të ashpër” duke vrarë “një mysafir të nderuar në shtëpinë tonë”, siç u shpreh ai.
Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi Izraelin se do të përballet me një “kundërpërgjigje të ashpër dhe të dhimbshme” nga Irani dhe aleatët e tij në rajon. Një komision i Parlamentit të Iranit, me ndikim për çështje të sigurisë dhe politikës së jashtme, ka planifikuar të mbajë një takim urgjent mbi sulmin në mbrëmjen e së mërkurës.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite refuzoi të komentojë vrasjen e drejtuesit të Hamasit. Izraeli shpesh nuk komenton atentatet që kryhen nga agjencia e tij e zbulimit Mossad apo sulmet e kryera në shtetet tjera.
Irani dhe Izraeli janë rivalë të ashpër rajonalë. Dy shtetet rrezikuan një luftë të hapur në fillim të këtij viti kur Izraeli goditi ambasadën e Iranit në Damask. Irani u hakmor ndaj sulmit dhe Izraeli u kundërpërgjigj në një shkëmbim të pashembullt sulmesh ndaj njëri tjetrit. Por në atë kohë, përpjekjet ndërkombëtare arritën që ta kufizojnë konfliktin mes tyre para se të dilte jashtë kontrollit.
Vrasja e udhëheqësit të Hamasit mund të nxisë Hamasin që të tërhiqet nga bisedimet për armëpushim dhe lirimin e pengjeve, të cilat sipas zyrtarëve amerikanë kishin shënuar përparim së fundmi.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Khalil al-Hayya u tha gazetarëve në Iran se ai që do ta zëvendësojë zotin Hanijeh do të “ndjekë të njëjtin vizion” përsa u përket negociatave për t’i dhënë fund luftës dhe për të vazhduar të njëjtën politikë të rezistencës ndaj Izraelit, siç tha ai.
Krahu ushtarak i Hamasit tha në një deklaratë se vrasja e Hanijes “e çon betejën në dimensione të reja dhe do të ketë pasoja të mëdha për tërë rajonin.”
Sipas analistes Nomi Bar-Yaacov nga programi për sigurinë ndërkombëtare i organizatës “Chatham House” vrasja e Hanijes shton kërcënimet për një luftë të hapur.
“Jemi nisur drejt një përshkallëzimi dhe Irani është zotuar se do të hakmerret. …Problemi kryesor është që kjo situatë do t’i dëmtojë negociatat për armëpushim. Izraeli thotë se dëshiron t’i kthejë pengjet por veprimet të tilla nuk e bëjnë të lehtë arritjen e këtij qëllimi. Hanijeh ishte kryeministri i Hamasit. Ai ishte kryenegociatori i Hamasit. Ishte njëri nga më pragmatikët dhe Izraeli synon kokën e Sinuarit, i cili ishte ideatori i sulmit të tmerrshëm të 7 tetorit. Lufta me gjasë do të vazhdojë deri në kapjen ose vrasjen e tij, që ka pak gjasa të ndodhë. Është një situatë tejet e ndërlikuar", thotë ajo.
Diplomatët perëndimorë, të angazhuar në uljen e tensioneve, u shprehën të alarmuar. Një diplomat perëndimor, shteti i të cilit po punon për të parandaluar një përshkallëzim midis Izraelit dhe Hezbollahut, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press me kusht që të mos identifikohet emri, se sulmet në Bejrut dhe Teheran “pothuajse kanë eliminuar ” shpresat për një armëpushim në Gazë dhe se ato mund ta çojnë Lindjen e Mesme drejt “një lufte shkatërrimtare rajonale.”
Udhëheqësi 61 vjeçar i Hamasit u largua nga Gaza në vitin 2019 dhe që atëherë jetonte dhe vepronte nga Katari. Djemtë dhe vajza e tij u vranë nga Izraeli pak muaj më parë gjatë luftës në Gaza.
Lajmi për vrasjen e Hanijes u prit me mosbesim dhe shqetësim në Gazë.
“Lajmi na pikëlloi shumë ngaqë ai ishte një politikan që po mundohej t’i jepte fund luftës. Izraeli nuk dëshiron ta përfundojë luftën… Duke vrarë Hanijen ata shkatërruan çdo gjë, nuk duan paqe dhe nuk duan marrëveshje,” tha e zhvendosura Nour Abu Salama.
I lindur në kampin e refugjatëve Shati, Hanijeh iu bashkua Hamasit që nga themelimi i grupit militant në vitin 1987 dhe u ngrit në pozitën e drejtuesit të saj politik. Ai shërbeu si kryeministër i qeverisë së Hamasit pas fitores së grupit në Gaza në vitin 2007.
Vrasja e Hanijes u dënua nga Turqia, Kina dhe Rusia. Në një deklaratë për media të Ministrisë së Jashtme turke thuhet se sulmi ka për qëllim përshkallëzimin e konfliktit në Gazë në një luftë rajonale dhe paralajmëroi se konflikte më të gjëra mund të përfshijnë gjithë rajonin nëse bashkësia ndërkombëtare nuk ndërhyn për të ndalur veprimet e Izraelit.
Kryeministri izraelit Netanyahu është zotuar se do të vazhdojë fushatën ushtarake në Gazë deri në shkatërrimin e Hamasit. Ofensiva dhe bombardimet izraelite kanë vrarë rreth 39,300 palestinezë dhe plagosur 90,900 të tjerë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Gazës, që nuk bën dallimin midis civilëve dhe militantëve.
Pas muajsh luftimesh, Hamasi ka dëshmuar se militantët e tij mund të veprojnë ende në Gazë dhe kanë hedhur raketa drejt Izraelit. Por është e paqartë nëse ky grup ka kapacitetin që të shtojë sulmet në hakmarrje ndaj vrasjes së udhëheqësit të saj politik.
Por ndikimi i atentatit mund të jetë rajonal. Përveç një hakmarrjeje të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit, Irani mund të shtojë numrin e sulmeve përmes aleatëve të tij, koalicionit të grupeve që mbështeten nga Irani, të njohura si “Boshti i Rezistencës”, që përfshin Hezbollahun, Hamasin, grupe militante Shiite në Irak dhe Siri si dhe rebelët Houthi që kontrollojnë pjesën më të madhe te Jemenit.