Një takim i mundshëm mes udhëheqësve kinezë dhe ukrainas u vendos në qendër të vëmendjes ndërsa Ukraina ftoi të martën ministrin e jashtëm të Kinës për bisedime dypalëshe.
Ftesa vjen pasi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba shkoi në Kinë javën e kaluar, vizita e parë e këtij lloji që kur filloi sulmi frontal i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.
"Jemi të gatshëm të mirëpresim Ministrin Wang Yi në Ukrainë që të shohë me sytë e tij pasojat e agresionit rus ndaj vendit tonë dhe që të mbajmë bisedime më të thella dypalëshe me të për një numër çështjesh dypalëshe, rajonale dhe ndërkombëtare", tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme ukrainase, Heorhii Tykhyi, gjatë një informimi për shtypin të martën në Kiev.
Kina ka shprehur interesimin për një vizitë të tillë, thanë autoritetet ukrainase.
Kina ka paraqitur një qëndrim neutral në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, ndërsa ruan marrëdhëniet me Rusinë dhe e ndihmon atë ekonomikisht.
Ftesa nga Ukraina vjen ndërsa Rusia njoftoi se mori edhe një tjetër fshat ukrainas të martën. Rusia e përshkroi këtë fshat si “të çliruar”, një ndër disa fshatrat e marra nga forcat ruse gjatë javëve të fundit.
Rusia filloi gjithashtu të martën manovra ushtarake me shtrirje të gjerë, me mbi 300 operacione stërvitore që pritet të mbahen. Në këto manovra janë planifikuar të marrin pjesë 20 mijë ushtarë, 300 anije dhe 50 avionë.
“Objektivat kryesore të stërvitjeve janë testimi i veprimeve të komandës ushtarake të marinës në të gjitha nivelet, si dhe gatishmëria e ekuipazheve të anijeve, njësive të aviacionit detar dhe forcave bregdetare detare”, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Zyrtarët në rajonin Kursk të Rusisë thanë të martën se ekuipazhet shuan një zjarr në një depo nafte, që u godit nga një sulm me dronë ukrainas dy ditë më parë.
Guvernatori i Kurskut, Alexei Smirnov, tha në rrjetin Telegram se nga sulmi u dogjën disa depozita karburanti dhe se nuk pati të plagosur.
Në sulmet e reja të martën, dronët ajrorë ukrainas sulmuan zona të shumta në rajonin Belgorod të Rusisë, përgjatë kufirit me Ukrainën.
Dronët goditën dy fshatra, duke dëmtuar disa shtëpi dhe një biznes bujqësor, sipas një postimi në rrjetin Telegram nga guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov.
Ushtria e Ukrainës tha të martën se mbrojtja ajrore rrëzoi shtatë dronë zbulues rusë gjatë ditës së kaluar.
Në rajonin verilindor të Ukrainës, Kharkiv, sulmet e artilerisë ruse plagosën një person herët të martën, thanë zyrtarët lokalë.
Sulmet e forcave ruse plagosën gjithashtu një person dhe dëmtuan disa shtëpi në rajonin Kherson në jug të Ukrainës, sipas guvernatorit rajonal.
Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencitë e lajmeve Agence France-Presse dhe Reuters.