Lidhje

Izraeli thotë se vrau një komandant të Hezbollahut me sulmin e rrallë në Bejrut


Godina që u godit nga sulmi ajror izraelit në Bejrut (30 korrik 2024)
Godina që u godit nga sulmi ajror izraelit në Bejrut (30 korrik 2024)

Ushtria izraelite njoftoi të martën në mbrëmje se kreu një sulm në Bejrut me objektiv një komandant të Hezbollahut, i cili mendon se ishte përgjegjës për sulmin me raketë që vrau 12 fëmijë dhe adoleshentë që luanin në një fushë futbolli gjatë fundjavës në Lartësitë e Golanit.

U dëgjua një shpërthim i fortë dhe një shtëllungë tymi u pa të ngrihej mbi periferitë jugore të Bejrutit, një bastion i militantëve të Hezbollahut, të financuar nga Irani. Një zyrtar i Hezbollahut tha se disa ndërtesa u dëmtuan dhe autoritetet thanë se dy persona u vranë.

Pak orë më pas, Shtetet e Bashkuara bënë një sulm vetëmbrojtës në Irak, i tha një zyrtar amerikan agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa tensionet po rriten në Lindjen e Mesme.

Raportet e mediave në Lindjen e Mesme e identifikuan komandantin e Hezbollahut me emrin Fuad Shukr, por nuk dihej përfundimisht fati i tij.

Burimi saudit i lajmeve Al-Hadath raportoi se Fuad Shukri i mbijetoi sulmit. Por faqja izraelite e lajmeve “ynet” citoi një burim izraelit të sigurisë të thoshte se, "Ka një mundësi shumë të madhe që zyrtari i Hezbollahut të jetë eliminuar. Nëse ai ishte në ndërtesë - ai nuk është më me ne".

Fuad Shukri besohej se ishte këshilltari ushtarak i udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah dhe ka qenë prej kohësh aktiv në këtë organizatë të konsideruar terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Ai ishte kreu i dhomës operacionale të grupit militant.

Shtetet e Bashkuara e patën shtuar emrin e tij në listën e sanksioneve në vitin 2015 dhe ai kërkohej nga Shtetet e Bashkuara për rolin e tij të dyshuar në bombardimin e vitit 1983 të kazermave të marinsave amerikanë në Bejrut.

Zyrtari i Hezbollahut kishte një shpërblim prej 5 milionë dollarësh "për kokën e tij", sipas të dhënave të një enti të Departamentit të Shtetit që kërkon të gjejë terroristët e shumëkërkuar.

Agjencia shtetërore libaneze e lajmeve tha se sulmi izraelit kishte goditur zonën pranë Këshillit Shura të Hezbollahut, në lagjen Haret Hreik të kryeqytetit.

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar Hezbollahun për sulmin e së shtunës në fshatin Druze të Majdal Shams në Lartësitë e Golanit të pushtuara nga Izraeli, megjithëse Hezbollahu ka mohuar përgjegjësinë.

Në një deklaratë më herët për mediat, ushtria izraelite njoftoi se ka kryer “një sulm në Bejrut ndaj komandantit përgjegjës për vrasjen e fëmijëve në Maxhdal Shams dhe vrasjen e një numri civilësh të tjerë izraelitë.”

Duke reaguar ndaj njoftimeve për sulmin izraelit, Shtetet e Bashkuara thanë se nuk mendojnë që lufta ndërmjet Hezbollahut dhe Izraelit është e pashmangshme, sipas zëdhënëses Karine Jean-Pierre.

Sulmi izraelit u dënua menjëherë nga Irani, që e quajti atë “agresion të ulët ” nga Izraeli, ndërsa grupi militant palestinez Hamas e cilësoi atë një “përshkallëzim të rrezikshëm”. Sulmi u dënua edhe nga Rusia si “shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare”, njofton agjencia Reuters.

XS
SM
MD
LG