Lidhje

Armenia intensifikon përpjekjet për t’u afruar me Perëndimin


Stërvitjet ushtarake të Armenisë me Shtetet e Bashkuara në korrik dhe rritja e kontakteve të saj diplomatike me Evropën Perëndimore, sugjerojnë se Jerevani po vazhdon përpjekjet për t'u distancuar nga Moska. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, suksesi i këtyre përpjekjeve varet kryesisht nga rivali i Armenisë, Azerbajxhani, si edhe nga përpjekjet e vazhdueshme të paqes të mbështetura nga SHBA.

Armenia intensifikon përpjekjet për t’u afruar me Perëndimin
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00


Analistët thonë se stërvitjet e përbashkëta ushtarake në korrik në Armeni mes forcave armene dhe atyre të Shteteve të Bashkuara janë hapi i fundit në përpjekjet e Jerevanit - të mbështetura nga Uashingtoni - për t'u distancuar nga sfera e ndikimit e Rusisë dhe afruar më shumë drejt Perëndimit.

“Këto janë stërvitje serioze dhe janë shoqëruar me lajmin se do të ketë një përfaqësi të përhershme këshilltarësh të SHBA-së në Ministrinë e Mbrojtjes së Armenisë. Synimi i vetëm është afrimi me Perëndimin”, i thotë Zërit të Anerikës konsulenti politik Eric Hacopian.

Armenia nuk ka dalje në det dhe do që të reduktojë varësinë e saj ekonomike nga Rusia.

Ajo po i kërkon Turqisë të hapë kufirin në mënyrë që të ketë një portë të re drejt tregjeve perëndimore. Turqia mbylli kufirin me Armeninë në vitin 1993 pasi forcat armene etnike morën kontrollin e Nagorno Karabakut, një rajon i kontestuar i Azerbajxhanit. Forcat e Azerbajxhanit e rimorën atë vitin e kaluar dhe analistët thonë se hapja e kufirit tani do të përkonte me synimet e Ankarasë për të zgjeruar ndikimin rajonal të Turqisë.

“Turqia ka lidhje shumë të forta me Azerbajxhanin, si edhe marrëdhënie shumë të mira me Gjeorgjinë, por jo me Armeninë. Dhe kjo përbën pengesë për politikat e Turqisë në rajonin e Kaukazit”, thotë Sinan Ulgen i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Politikë të Jashtme.

Uashingtoni po punon për të ndërmjetësuar një marrëveshje të përhershme paqeje midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, për të cilën Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se është e afërt. Por disa çështje mbeten të pazgjidhura, thonë analistët.

“Në këtë fazë, kur nuk është nënshkruar marrëveshja e paqes, kjo mund t’i dërgojë sinjalin e gabuar Armenisë, se mund të mos ketë nevojë të bjerë dakord për çështjen thelbësore, atë të njohjes reciproke të integritetit territorial”, thotë Farid Shafiyev i Qendrës për Analizën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka lidhje të ngushta me homologun e tij azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe po përjashton mundësinë e hapjes së kufirit me Armeninë deri në plotësimin e kërkesave të Bakusë. Turqia e ndihmoi Azerbajxhanin të mposhtte forcat e mbështetura nga armenët. Por disa analistë thonë se Azerbajxhani po dikton politikën e Turqisë.

“Azerbajxhani është aty ku është, pjesërisht për shkak të ndihmës ushtarake të Turqisë, ndihmës së zbulimit. Dhe nuk e kuptoj se si Turqia heziton të hapë kufirin me Armeninë, siç kërkon Jerevani, për shkak të kundërshtimit të Azerbajxhanit... ... veçanërisht nëse Azerbajxhani, për një arsye ose një tjetër, beson se mund të jetë në interesin e tij të kthehet përsëri nga Rusia”, thotë për Zërin e Amerikës Soli Ozel i Universitetit “Kadir Has”.

Kompania energjetike SOCAR e Azerbajxhanit është investitori më i madh i huaj në Turqi, duke i dhënë Bakusë një mjet të fuqishëm ndikimi ndaj Ankarasë. Analistët thonë se çdo shpresë për rihapjen e kufirit turko-armen duket se varet nga vullneti i udhëheqjes së Azerbajxhanit.

XS
SM
MD
LG