Lidhje

Shkup, Ministria e Brendshme ngre padi kundër ish-ministrit të BDI-së


Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në Maqedoninë e Veriut ka ngritur një padi penale kundër ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, të cilin e akuzon për përfshirje në parregullsi gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare. Sipas njoftimit të policisë, zoti Bekteshi ka ushtruar trysni përmes mesazheve elektronike ndaj një shefi të policisë në qytetin e Ohrit. MPB e ka publikuar njoftimin në faqen e saj të internetit, teksa pret që prokuroria të procedojë rastin.

Sektori i Punëve të Brendshme (SPB) në Ohër ka ngritur padi penale ndaj zotit Bekteshi për shkak të dyshimeve se ka penguar drejtësinë, siç thuhet në faqen e internetit të MPB-së.

Ish-ministri Bekteshi përmes një shkrimi në Facebook i hedh poshtë akuzat si të pabaza.

“Më 7 maj, në cilësinë e koordinatorit të Frontit Europian në njësinë Zgjedhore 5, nga shtabi i Frontit Europian në Ohër mora informacion se në ditën e heshtjes zgjedhore, kryetari i shtabit dhe anëtarët e shtabit janë kontrolluar nga SPB-Ohër, e cila është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor nga SPB-Ohër”, shkruan zoti Bekteshi.

Ai publikoi mesazhin që i kishte dërguar në atë kohë, drejtuesit të sektorit të Punëve të Brendshme në Ohër, ku ankohej se policia kishte ushtruar kontroll ndaj anëtarëve të koalicionit elektoral ku bënte pjesë edhe BDI-ja.

“Ju lumtë! Jeni të fortë. Duhet t’ju vijë turp që merreni me njerëz të rinj”.

Ish-ministri akuzon qeverinë se po hakmerret dhe po ushtron shantazh ndaj tij dhe kolegëve të partisë së tij, Bashkimit Demokratik për Integrim.

Edhe BDI reagoi duke i cilësuar akuzat si të pabaza, që sipas saj synojnë diskreditimin e partisë dhe të përfaqësuesve të saj.

“BDI dënon gjuetinë me motive politike të shtrigave. Akuzat e pabaza për pengimin e drejtësisë kundër zotit Bekteshi janë të fundit në vazhdën akuzave dhe kërcënimeve ndaj zyrtarëve tanë”, thuhet në një reagim të partisë opozitare shqiptare.

Ndërkohë, partia VMRO-DPMNE në pushtet thotë se BDI-ja nuk duhet të manipulojë nëpër media dhe se “është më mirë që ajo të distancohet sa më parë nga personat e tillë si (Kreshnik) Bekteshi”.

Bashkimi Demokratik për Integrim vetëm pak ditë më parë bëri të ditur se disa deputetë të tij kishin marrë mesazhe kërcënuese përmes postës elektronike. Ministria e Rendit nuk dha hollësi të tjera përveç njoftimit se policia është njoftuar për rastin dhe se po e heton atë.

Nga ana tjetër, eksponentë të koalicionit Vlen, pjesë e koalicionit qeverisës, kanë akuzuar BDI-në se i ka sajuar vetë kërcënimet t’u paraqitur si viktimë para opinionit publik.

XS
SM
MD
LG