Lidhje

30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gazë ku strehoheshin të zhvendosurit palestinezë


Pasojat pas sulmeve ajrore izraelite në qytetin Deir Al-Balah
Pasojat pas sulmeve ajrore izraelite në qytetin Deir Al-Balah

Sulmet ajrore izraelite goditën një shkollë në Gazën qëndrore ku strehoheshin të zhvendosurit palestinezë, duke vrarë dhjetëra njerëz.

Të paktën 30 persona të strehuar në një shkollë vajzash në Deir Al-Balah u dërguan në spitalin Al Aqsa dhe u shpallën të vdekur pas një sulmi që ushtria izraelite tha se kishte si objektiv një qendër komandimi dhe kontrolli të Hamasit që përdorej për ruajtjen e armëve dhe planifikimin e sulmeve. Shtatë nga të vrarët ishin fëmijë.

Sulmi i së shtunës ndodhi ndërsa negociatorët përgatiteshin të takonin ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për të diskutuar propozimin për një armëpushim në Gazë. Zyrtarë nga SHBA, Egjipti, Katari dhe Izraeli pritet të takohen të dielën në Itali lidhur me negociatat.

Më herët të shtunën, media zyrtare palestineze tha se të paktën 14 palestinezë u vranë nga sulmet izraelite në qytetin jugor Khan Younis.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka urdhëruar evakuimin e një pjese të një zone humanitare në Gazë përpara një sulmi të planifikuar Khan Younis.

Urdhri i evakuimit të shtunën erdhi në përgjigje të një sulmi me raketa që Izraeli tha se u krye prej asaj zone.

Lufta në Gazë ka vrarë më shumë se 39,200 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk bën dallime midis luftëtarëve dhe civilëve.

Lufta filloi pas një sulmi nga militantët e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor ku u vranë 1200 persona, shumica prej tyre civilë ndërsa 250 vetë u morën peng.

XS
SM
MD
LG