Lidhje

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, njofton largimin nga detyra


Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë gjatë fjalës së dorëheqjes
Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë gjatë fjalës së dorëheqjes

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, u largua sot nga kjo detyrë për arsye shëndetësore pas 3 vjet punë në krye të institucionit ligjvëës.

Zonja Nikolla bëri të ditur gjatë një fjale të shkurtër para deputetëve se ky vendim i saj erdhi “si rezultat i një situate personale shëndetësore”, e cila ia pamundësonte kryerjen e kësaj detyre.

Ajo tha se ishte përpjekur gjatë kësaj kohe që të jepte më të mirën për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, duke i trajtuar gjithë deputetët me dinjitet dhe barazi.

“Përtej akteve të politikës teatrale këtu në këtë sallë, ku kam marrë edhe ndonjë sulm të pamerituar verbal, nga puna jashtë kamerave më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë që të gjithë ju”, tha zonja Nikolla.

Ajo kërkoi të mos spekullohet politikisht me këtë largim, që e cilësoi si “të padëshiruar, por të pashmangshëm”, dhe se ishte pamundësia që e detyroi të ndërmerrte këtë hap, ndërsa tani tha se do të qëndrojë më shumë pranë familjes dhe pranë zgjedhësve, në vazhdim të mandatit si deputete.

Zonja Nikolla është një nga politikanet më të rëndësishme të Partisë Socialiste. Gjatë viteve në opozitë dhe dekadën e fundit në pushtet, ajo është pjesëtare e forumeve më të larta drejtuese të partisë së saj, ku prej 17 vjetësh është anëtare e kryesisë së Partisë Socialiste.

Karriera e zonjës Nikolla nisi si mësuese dhe drejtuese në shkolla të mesme, më pas drejtuese e një njësie bashkiake të kryeqytetit, u zgjodh deputete për 3 mandate, më tej mori për 7 vjet detyrën e ministres së Arsimit, si dhe u zgjodh kryetare e Kuvendit nga shtatori i vitit 2021.

XS
SM
MD
LG