Lidhje

SHBA arreston dy udhëheqës të trafikut të drogës, mes tyre një prej djemve të “El Çapos”


US Mexico Sinaloa Cartel
US Mexico Sinaloa Cartel

Ismael "El Mayo" Zambada, që drejtonte për një kohë të gjatë kartelin Sinaloa të Meksikës, dhe Joaquín Guzmán López, djali i një udhëheqësi tjetër famëkeq të karteleve të drogës, u arrestuan nga autoritetet amerikane në Teksas të enjten, tha Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Një udhëheqës i kartelit të fuqishëm Sinaloa për dekada së bashku me Joaquín "El Chapo" Guzmánin, Zambada është një nga trafikantët më famëkeq të drogës në botë dhe i njohur për drejtimin e operacioneve të kontrabandës.

Një zyrtar federal meksikan i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se Zambada dhe Guzmán López mbërritën në Shtetet e Bashkuara me një avion privat dhe iu dorëzuan autoriteteve. Zyrtari foli në kushte anonimiteti.

Qeveria amerikane kishte ofruar një shpërblim deri në 15 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e Zambadës, i cili iu shmang autoriteteve për dekada.

Zambada dhe Guzmán López mbikëqyrën trafikimin e "dhjetëra mijëra kilogramëve të drogës në Shtetet e Bashkuara, së bashku me veprimet e dhunshme të lidhura me këtë operacion", tha drejtori i FBI-së Christopher Wray, duke shtuar se tani ata "do të përballen me drejtësinë në Shtetet e Bashkuara".

“Fentanili është kërcënimi më vdekjeprurës i drogës me të cilin është përballur ndonjëherë vendi ynë dhe Departamenti i Drejtësisë nuk do të pushojë derisa çdo udhëheqës i kartelit, anëtar dhe bashkëpunëtor përgjegjës për helmimin e komuniteteve tona të mbahet përgjegjës”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Autoritetet meksikane nuk komentuan menjëherë arrestimet e tyre.

Zyrtarët amerikanë kanë kërkuar arrestimin e Zambadës për vite me rradhë dhe ai është akuzuar në një numër rastesh në Shtetet e Bashkuara. Ai u akuzua në shkurt në Distriktin Lindor të Nju Jorkut për komplot për të prodhuar dhe shpërndarë opioidet sintetike. Prokurorët thanë se ai po vazhdonte të drejtonte kartelin Sinaloa, "një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë".

Zambada, një nga trafikantët më jetëgjatë në Meksikë, u konsiderua si strategu i kartelit, më pak pompoz dhe më i përfshirë në operacionet e përditshme sesa shefi i tij më i njohur, "El Chapo" Guzmán, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara në vitin 2019 dhe është babai i Guzmán Lópezit.

Zambada është një trafikant i stilit të vjetër në një epokë të mbretërve më të rinj të njohur për stilin e tyre të jetës së bujshme në klube dhe taktikat brutale të prerjes së kokës, copëtimit dhe madje heqjes së lëkurës së rivalëve të tyre. Ndërsa Zambada ka luftuar me ata që e sfiduan atë, ai njihet për përqendrimin në anën e biznesit të trafikimit dhe shmangien e dhunës së tmerrshme të kartelit, që do të tërhiqte vëmendjen.

Në një intervistë në prill të vitit 2010 për revistën meksikane “Proceso”, ai pranoi se jetonte në frikë të vazhdueshme nga burgosja dhe se do të konsideronte vetëvrasjen nëse arrestohej.

"Kam frikë nga burgosja", tha Zambada. “Do të mendoja të vrisja veten nëse do të arrestohesha”.

Intervista ishte befasuese për një trafikant të njohur droge, por ai dha udhëzime të rrepta se ku dhe kur do të ndodhte takimi me gazetarin për intervistën, dhe artikulli nuk jepte asnjë të dhënë për vendndodhjen e tij.

Zambada me sa duket fitoi besnikërinë e vendasve në shtetin e tij të lindjes, Sinaloa dhe Durangon fqinje, përmes bujarisë së tij, duke sponsorizuar fermerët vendas dhe duke shpërndarë para dhe birrë në vendlindjen e tij, El Alamo.

Ndonëse dihet pak për jetën e hershme të Zambada-s, ai besohet të ketë filluar të punonte me trafikantët e drogës në vitet 1970.

Në fillim të viteve 1990, ai ishte një udhëheqës kryesor në kartelin Juarez, duke transportuar tonelata kokainë dhe marihuanë.

Zambada filloi të fitonte besimin e trafikantëve kolumbianë, që e ndihmuan atë të dilte në krye në botën e kartelit të aleancave gjithnjë në ndryshim. Përfundimisht ai u bë aq i fuqishëm sa u shkëput nga karteli Juarez, por gjithsesi arriti të mbante lidhje të forta me bandën dhe shmangu një luftë në terren. Ai gjithashtu zhvilloi një partneritet me trafikantin "El Chapo" Guzman, që do ta çonte atë në krye të kartelit Sinaloa.

Arrestimi i Zambadas pason disa arrestime të rëndësishme të figurave të tjera të kartelit Sinaloa, duke përfshirë një nga djemtë e tij dhe një djalë tjetër të "El Chapo" Guzmánit, Ovidio Guzmán López. Djali i Zambadas u deklarua fajtor në gjykatën federale në San Diego në vitin 2021 për akuzën se ai kishte qenë një nga udhëheqësit e kartelit Sinaloa.

Në vitet e fundit, djemtë e trafikantit Guzman kanë udhëhequr një fraksion të kartelit të njohur si “El Çapot e Vegjël”, "Chapitos", që është identifikuar si eksportuesi kryesor i fentanilit në tregun amerikan.

Ata shiheshin si më të dhunshëm dhe me një stil më pompoz se Zambada. Shefi i tyre i sigurisë u arrestua nga autoritetet meksikane në nëntor.

Ovidio Guzmán López u arrestua dhe u ekstradua në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Ai u deklarua i pafajshëm për akuzat për trafik droge në Çikago në shtator.

Mike Vigil, ish-kreu i operacioneve ndërkombëtare të agjencisë amerikane kundër drogës, DEA, tha se arrestimi i Zambadas është i rëndësishëm, por nuk ka gjasa të ketë shumë ndikim në rrjedhën e drogës në Shtetet e Bashkuara. Joaquín Guzmán López ishte më pak me ndikim nga katër djemtë që drejtojnë kartelin “Chapitos”.

"Kjo është një fitore për drejtësinë, por nuk mendoj se do të ketë ndikim në operacionet e kartelit të drogës", tha zoti Vigil.

"Nuk do të ketë një ndikim në tregtinë e drogës sepse dikush nga brenda kartelit do ta zëvendësojë atë", shtoi ai.

XS
SM
MD
LG