Ekonomia amerikane shënoi një rritje tremujorin e kaluar me një ritëm të fortë vjetor prej 2.8%. Konsumatorët dhe bizneset ishin shtysat kryesore të rritjes pavarësisht normave të larta të interesit.
Në raportin e publikuar të enjten nga Departamenti i Tregtisë thuhet se prodhimi i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimet e ekonomisë shënuan rritje gjatë tremujorit prill-qershor pas rritjes me të njëjtin ritëm prej 1.4% gjatë tremujorit janar-mars. Ekonomistet patën parashikuar një rritje më të dobët vjetore prej 1.9%.
Raporti tregon se edhe inflacioni po vazhdon të ulet, megjithëse ende është mbi objektivin prej 2% të Bankës Qendrore. Inflacioni gjatë tremujorit të fundit ishte 2.6%, një rënie nga 3.4% gjatë tremujorit të parë të vitit.
Duke përjashtuar çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, i ashtuquajturi inflacioni bazë ose fuqia blerëse u rrit me një ritëm prej 2.9%.
Të dhënat e fundit duhet të përforcojnë besimin se ekonomia amerikane është në prag të “një rrugëdalje të butë” të rrallë, ku normat e larta të interesit, të përcaktuara nga Rezerva Federale, po zbusin inflacioni pa e shtyrë ekonominë në recesion.
Shifrat pozitive të tremujorit të fundit u nxitën nga shpenzimet e konsumatorëve që përbëjnë thelbin e ekonomisë amerikane. Shpenzimet shënuan një rritje vjetore prej 2.3% gjatë periudhës prill-qershor, një rritje nga 1.5% gjatë tremujorit janar-mars.
Shpenzimet për blerjen e mallrave, si makina dhe pajisje shtëpiake, u rritën me 2.5% pas një rënie në 2.3% gjatë tre muajve të parë të vitit.
Investimet e biznesit u rritën gjatë tremujorit të fundit, me shtimin e investimeve për pajisje me një ritëm vjetor prej 11.6%. Shtimi i inventarit të bizneseve ndikoi gjithashtu tek rritja.
Nga ana tjetër, rritja e importeve shënoi një rënie me 0.9% gjatë periudhës prill-qershor. Pavarësisht rritjes së shënuar gjatë tremujorit të fundit, ekonomia amerikane, më e madhja në botë, ka pësuar ngadalësim për shkak të normave të larta të interesit.
Nga mesi i vitit 2022 deri në vitin 2023, rritja vjetore e prodhimit të brendshëm bruto arriti në masën 2% gjatë 18 muajve. Gjatë dy tremujorëve të fundit të vitit të kaluar, prodhimi i brendshëm shënoi një zgjerim me ritme të forta prej 4.9% dhe 3.4%.
Zyrtarët e Bankës Qendrore thonë se synimi i tyre është ulja e inflacionit në 2% dhe prej andej të fillojnë uljen e normave të interesit. Ekonomistët parashikojnë ë kjo të fillojë në shtator.
Gjendja e ekonomisë në vend ka tërhequr vëmendjen e amerikanëve ndërsa fushata presidenciale është intensifikuar. Megjithëse inflacioni është ulur ndjeshëm, në 3%, aktualisht nga 9.1% që ishe në vitin 2022, çmimet mbeten shumë mbi nivelet e tyre para pandemisë.