Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbledhur në Nju Delhi në Indi, miratoi të enjten vendimet për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën dhe shtyu për vitin e ardhshëm vendimin për zonën ndërkufitare shqiptare dhe maqedonase të Liqenit të Ohrit.
Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.
Në vendim UNESCO thotë se “shpreh keqardhje që qartësimi i kufijve të pronës dhe zonës së saj tampon është ende në pritje dhe i kërkon Shqipërisë që të paraqesë, si çështje prioritare, një hartë të qartë dhe të saktë që tregon kufirin e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe kufirin e zonës tampon e cila do të merret në shqyrtim nga Qendra e Trashëgimisë Botërore”.
UNESCO kërkon gjithashtu që Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të mbajë mbikëqyrjen e të gjithë Pronës së Trashëgimisë Botërore.
“Për të arritur një menaxhim dhe llogaridhënie efektive", thekson UNESCO, "prona e Trashëgimisë Botërore dhe zona e saj tampon duhet të menaxhohet në mënyrë të koordinuar dhe në tërësi”.
UNESCO thotë se kërkon për më tepër "që Shqipëria të japë sqarime për Qendrën e Trashëgimisë Botërore mbi rregulloret aktuale mbrojtëse dhe përdorimet e përcaktuara për të gjitha zonat e Parkut Kombëtar në lidhje me mbrojtjen e pronës së Trashëgimisë Botërore dhe funksionin e zonës së tij tampon, dhe mbi mënyrën sesi regjimet e ndryshme të menaxhimit do të harmonizohen për të shmangur fragmentimin”.
UNESCO thotë në vendim se “vëren se ICOMOS ka përgatitur një rishikim teknik të projektit të Qendrës së Vizitorëve dhe dokumentacionit përkatës të paraqitur nga Shqipëria dhe i kërkon autoriteteve shqipatre që të zbatojë plotësisht rekomandimet, duke përfshirë dhënien e kohës së mjaftueshme për të përgatitur një Vlerësim të plotë të Ndikimit të Trashëgimisë i cili, ndër të tjera, duhet të bazohet në hulumtime të plota arkeologjike dhe të përfshijë hapësirën e peisazhit”.
UNESCO kërkon që “Shqipëria të vazhdojë të paraqesë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore detaje të projekteve që mund të prekin Vlerat e Jashtëzakonshme Universale të Butrintit (VJU) përpara se të merret ndonjë vendim i pakthyeshëm për zbatimin e tyre, dhe që projektet të zbatohen vetëm pasi të ketë rënë dakord UNESCO”.
UNESCO i kërkon Shqipërisë që t'i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës dhe zbatimin vendimit duke përfshirë një plan veprimi të detajuar me një afat kohor edhe për zbatimin e rekomandimeve të misioni të vitit 2022, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.
Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.
“Shqipëria duhet të përditësojë Planin e Menaxhimit si një çështje me përparësi duke marrë parasysh komentet dhe rekomandimet e bëra tashmë nga Organet Këshillimore dhe duke përfshirë në mënyrë aktive autoritetet vendore të Beratit dhe Gjirokastrës”, thotë UNESCO.
UNESCO thotë më tej se “vëren me keqardhje përfundimin e ndërtimit të rrugës së bypass-it të Gjirokastrës pa zbatuar kërkesat e UNESCOS, dhe për këtë arsye i kërkon Shqipërisë që të kryejë urgjentisht një vlerësim të plotë të pavarur të ndikimit të projektit në trashëgiminë e Gjirokastrës dhe ta dorëzojë në Qendrën e Trashëgimisë Botërore për shqyrtim nga Organet Këshillimore”.
UNESCO i kërkon Shqipërisë të ndërmarrë një studim të integruar për të vlerësuar ndikimin e projekteve të shumta të infrastrukturës dhe zhvillimit dhe t'ia dorëzojë atë UNESCOS për shqyrtim nga organet këshillimore.
UNESCO thotë se mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të përmirësuar rregulloret e urbanistikës së Beratit dhe të Gjirokastrës, por kërkon të qartësohen ndërlidhjet ndërmjet Planit të Menaxhimit të Integruar dhe planeve të veçanta për ruajtjen mbrojtjen dhe administrimin e qendrave historike të dy qyteteve.
Lidhur me vendimit e UNESCO-s Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ((MEKI) tha përmes një deklarate se “mbështeti pa asnjë rezevë projekt vendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore që Komiteti i UNESCO-s i zyrtarizoi me një qendrim, unanim, që e konsiderojmë si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional”.
MEKI thotë se edhe pika e vetme në të cilën shprehet keqardhje për vonesën e sqarimit të kufijve të pasurisë botërore, reflekton situatën e kohës kur është përgatitur projektvendimi i UNESCO-s.
MEKI thotë se ka dërguar në Paris paketën e parë të hartave dhe ka marrë komentet paraprake nga Qendra e Trashëgimisë Botërore.
Por ndërsa MEKI flet “për një paketë të parë” të hartave të Butrintit kur UNESCO ka kërkuar një hartë të pronës, autoritetet shqiptare ende nuk kanë sqaruar se përse u mor vendimi dy vite më parë për heqjen nga Parku i Butrintit të rreth 800 hektarëve pa vënë në dijeni dhe pa marrë miratimin e UNESCO-s.
Gjatë një interpelance të zhvilluar të enjten me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe deputetja e opozitës Ina Zhupa, tha se në ish zonën tampon të Parkut Kombëtar të Butrintit po zhvilloheshin projekte të mëdha ndërtimore.
Duke treguar në parlament dy foto të investimeve zonja Zhupa tha se “këto janë modele zhvillimi që injorojnë UNESCO-n, që ndërtojnë në zonat e mbojtura dhe që fragmentarizojnë Butrintin”.