Lidhje

Netanyahu: Gaza e çmilitarizuar dhe e çradikalizuar do të sjellë paqe


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, iu drejtua të mërkurën Kongresit amerikan, ndërsa shumë ligjvënës demokratë e bojkotuan fjalimin e tij dhe protestuesit rrethuan ndërtesën e Kongresit. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, ligjvënësit republikanë thanë se fjalimi ishte thelbësor për të riafirmuar angazhimin amerikan për aleatin e saj në Lindjen e Mesme mes luftës dhjetëmujore me Hamasin.

Netanyahu: Gaza e çmilitarizuar dhe e çradikalizuar do të sjellë paqe
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:39 0:00


Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, iu drejtua ligjvënësve amerikanë të mërkurën për herë të parë që kur Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1200 vetë dhe marrë peng rreth 240 të tjerë.

“Është një përplasje mes atyre që e lartësojnë vdekjen dhe atyre që e shohin jetën si të shenjtë. Që forcat e qytetërimit të triumfojnë, Amerika dhe Izraeli duhet të qëndrojnë të bashkuar”, tha zoti Netanyahu.

Zoti Netanyahu iu drejtua protestuesve, duke e quajtur antisemitizmin si urrejtjen më të vjetër në botë.

“Kur tiranët e Teheranit, që varin homoseksualët dhe vrasin gratë që nuk i mbulojnë flokët e tyre, ju lavdërojnë, përkrahin dhe financojnë, ju jeni bërë zyrtarisht idiotët e dobishëm të Iranit”.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila nuk bën dallime mes civilëve dhe luftëtarëve, thotë se më shumë se 39,000 palestinezë kanë vdekur që nga fillimi i luftës. Kryeministri Netanyahu foli për akuzat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Izraelit për krime lufte.

“Prokurori i gjykatës ndërkombëtare penale e ka akuzuar Izraelin me paturpësi se qëllimisht e ka lënë në uri popullin e Gazës. Kjo është absurde”, tha zoti Netanyahu.

Disa figura të larta demokrate, mes tyre Nënpresidentja Kamala Harris dhe ligjvënësja Nancy Pelosi, nuk morën pjesë në fjalim. Senatori demokrat Jack Reed, i cili shërben në komisionin e Senatit për zbulimin, shpjegoi arsyet e bojkotit.

“Netanyahu e ka bashkuar kauzën me ekstremistët e djathtë, të cilët ndjekin axhendat e tyre në kurriz të sigurisë së Izraelit. Këta ekstremistë kanë marrë disa nga postet më të larta të kabinetit qeveritar dhe kanë nxitur politikat më të gabuara të Netanyahut”, tha Senatori Reed.

Zoti Netanyahu u mirëprit të mërkurën nga udhëheqësit demokratë dhe republikanë të Kongresit.

“Është një periudhë shumë e rëndësishme që është vlerësuar si e tillë nga udhëheqja dypartiake që e ftoi atë këtu, sepse aleati ynë i dashur Izraeli, është në një luftë për ekzistencën e tij dhe kjo luftë shtrihet në çdo kufi të tij”, tha republikani Mike Johnson, Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Disa të afërm të pengjeve izraelite protestuan kundër fjalimit, duke i bërë thirrje zotit Netanyahu që të pajtohej me një armëpushim të propozuar nga Shtetet e Bashkuara. Zoti Netanyahu shpalosi vizionin e tij për Lindjen e Mesme pas luftës.

“Pasi të mposhtim Hamasin, mund të shfaqet një Gazë e re. Vizioni im është një Gazë e çmilitarizuar dhe e çradikalizuar. Izraeli nuk kërkon ta zhvendosë popullsinë e Gazës, por për një kohë të pacaktuar ne duhet të mbajmë kontrollin e sigurisë atje.”

Fjalimi i Netanyahut është thelbësor për ruajtjen e mbështetjes amerikane për Izraelin, por vjen në një kohë kur politika e brendshme amerikane është në qendër të vëmendjes.

“Ai do të përpiqet, të paktën, të ndalojë një erozion të mbështetjes midis demokratëve dhe të rrisë përkrahjen nga republikanët, për të cilët ai mendon se kanë shumë më shumë gjasa të jenë në pushtet pas zgjedhjeve të nëntorit”, thotë Jon Alterman me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Zoti Netanyahu do të takohet sot me Presidentin Joe Biden dhe Nënpresidenten Harris, si dhe të premten me ish Presidentin Donald Trump.

XS
SM
MD
LG