Lidhje

Fshehu pasurinë, tjetër proces gjyqësor për ish kryebashkiakun Tushe


Fato Tushe, ish kryetar i Bashkise se Lushnjes
Fato Tushe, ish kryetar i Bashkise se Lushnjes

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme njoftoi të mërkurën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim ish kryebashkiakun socialist të Lushnjes Fatos Tushe, nën akuzën e fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë. Ky është procesi i dytë gjyqësor ndaj zotit Tushe, i dënuar më herët me 5 vjet burg, me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit për “Shpërdorim detyre” në dy raste, edhe atë për “Shkelje të barazisë në tendera”.

Ai u arrestua në korrik të vitit 2021, nën dyshimet për favorizimin e një kompanie në garën për rehabilitimin e një kanali kullues, lejimin e një ndërtimi pa leje dhe abuzim me fondet e karburantit të Bashkisë. Bashkë me të, u arrestuan dhe zyrtarë të tjerë të pushtetit vendor e disa biznesmenë, ndërsa disa muaj më vonë u arrestua dhe nënkryetari i Bashkisë, dhe drejtori i Prokurimeve.

Prokuroria e Posaçme nisi ndaj tij dhe një hetim pasuror. Me kërkesë të saj, në shkurt të këtij viti, gjykata vendosi sekuestron preventive ndaj një apartamenti në zonën e Lungomares në Vlorë. Sipas njoftimit të sotëm të Prokurorisë, vihet në dukje se “në deklaratën e interesave të viteve 2017, 2018, 2019, 2020, apo në deklaratën e interesave private pas largimit nga detyra, të vitit 2021, nuk ka deklaruar asnjë shpenzim të kryer për blerje/porositje të apartamentit me sipërfaqe totale 82.33 m2, apo dhe për punime dhe mobilime”, vlera e të cilave përllogaritet në mbi 2.2 milionë lekë. Sipas hetimit , zoti Tushe “edhe pse është pronar “de facto” i apartamentit në qytetin e Vlorës, në Lungomare në vazhdimësi e ka fshehur këtë pasuri”.

Prokuroria e Posaçme, bën të ditur po ashtu se ish kryebashkiaku i Lushnjes, nuk ka deklaruar as marrjen e një huaje, apo dhe investimin e kryer për blerjen e dy automjeteve, për një total prej afro 47 mijë eurosh.

XS
SM
MD
LG