Shoqata të gazetarëve shqiptarë dhe serbë në Kosovë kritikuan të mërkurën ligjin për Komisionin e Pavarur të Medieve, që u miratua dy javë më parë në parlament, duke theksuar se përmes tij qeveria synon të kontrollojë mediat në vend.
Këto komente u bënë gjatë një debati në Qendrën Mediale në Çagllavicë lidhur me ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave me temën, “rregullim apo kërcënim për lirinë e medias”.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha tha se ligji mund të ulë pluralitetin medial ne vend.
“Që është një vlerë për të cilën Kosova mund të ndjehet krenare sidomos në mediat në gjuhën shqipe që kanë një pluralitet të jashtëzakonshëm dhe lejon që shumë zëra të dëgjohen dhe kjo është një përpjekje në fund të ditës që mes tjerash me këto dënime të dekurajoj mediat që ta bëjnë punën e tyre”, tha ai.
Kryetarja e shoqatës së Gazetarëve serb në Kosovë Ivana Vanovac tha se ligji nuk do të jetë i mirë për asnjë media që synon të punojë e lirë dhe mund të nxisë autocensurën për shkak të gjobave të parapara.
“Ky ligj u jep aq shumë liri strukturave politike, sa herë që cilado media pavarësisht nga vijnë, qoftë nga komuniteti shqiptar apo serb, që prek ndonjë temë që nuk u përshtatet strukturave politike, ato do të kenë mekanizëm shumë të lehtë dhe të përshtatshëm për të luftuar mediat dhe në rastin më të lehtë mbylljen e këtyre medieave”, tha ajo.
Ligji mes tjerash, parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre nga KPM-ja dhe dënime me gjoba të rënda për mediat që kryejnë shkelje ligjore.
Me ligjin e ri Komisioni i Pavarur i Mediave parashihet të ketë 11 anëtarë nga 7 sa numëron aktualisht.
Ardita Zejnullahu nga Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës tha se çështja e regjistrimit të mediave online, gjobat dhe rritja e numrit të anëtarëve të Komisionit paraqesin sfidat kryesore të ligjit.
“40 mijë euro dënimi për një operator kabllor është shumë i vogël. Në anën tjetër 40 mijë euro nëse dënnohe një media audio-vizuale, radio apo televizion edhe portalet të cilat gjithashtu do të jenë në juridiksionin e KPM-së me këtë ligj, atëherë kjo nënkupton mbylljen e tyre. Mospërcaktimi se për cilat sanksione ose për cilat shkelje do të përcaktohen sanksionet nuk është bërë dallimi nëse do të jenë shkelje administrative, shkelje etike apo teknike kështu që do të mbetët në vullnetin e anëtarëve të Komisionin të caktojë ashtu si ata dëshirojnë dënimet për mediat”, tha ajo.
Dy parti opozitare kanë dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave ndërsa përfaqësues të gazetarëve shpresojnë që Gjykata ta rrëzojë atë dhe të hartohet një i ri i cili do të shqyrtonte shqetësimet e tyre.
Një grup organizatash ndërkombëtare të mediave përmes një komunikate shprehën shqetësimin me ligjin që sipas tyre, do të mundësojë kontrollin politik të organit rregullator.
Sipas organizatave, shqetësimet kryesore në lidhje me ligjin lidhen me ndikimin e mundshëm në pluralizmin e medias, pavarësinë dhe peizazhin më të gjerë rregullator. Ato i bënë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të dënojë publikisht ligjin dhe të ritheksojë përkushtimin e saj për promovimin dhe ruajtjen e lirisë së mediave në Kosovë.
Media online në Kosovë aktualisht vet rregullohet nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara duke u mbështetur në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës.