Fraksionet rivale palestineze, Fatahu dhe Hamasi kanë nënshkruar një deklaratë në Pekin me synimin për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve disavjeçare dhe për të formuar një qeveri të unitetit kombëtar, njoftoi Kina të martën.
“Përfaqësuesit e lartë të 14 fraksioneve palestineze zhvilluan bisedime pajtimi në Pekin nga datat 21 deri më 23 korrik”, tha Mao Ning, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës. “Fraksionet palestineze nënshkruan deklaratën e Pekinit për t’i dhënë fund ndarjeve dhe për forcimin e unitetit kombëtar palestinez”.
Në Uashington, zyrtarët amerikanë thonë se duhet ta shohin marrëveshjen.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ritheksoi të martën se Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Hamasin organizatë terroriste dhe se Uashingtoni nuk sheh asnjë rol të Hamasit në qeverisjen e Gazës pas luftës.
“Ne e kemi bërë të qartë, ne duam të shohim Autoritetin Palestinez të qeverisë një Gazë të bashkuar në Bregun Perëndimor. Por jo, ne nuk mbështesim një rol të Hamasit”, tha zoti Miller gjatë një konference për shtypin.
“Ne mendojmë se asnjë element që lidhet me këtë deklaratë nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në diskutimet në vazhdim për të arritjen e një armëpushimi”, shtoi ai.
Bisedimet në Pekin kishin për qëllim krijimin e një udhërrëfyesi për Gazën e pasluftës, sapo të arrihet një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, që do t'i jepte fund luftës nëntë-mujore në Gazë.
Fatahu dhe Hamasi kanë patur mosmarrëveshje për dekada lidhur me qëndrimin e tyre ndaj Izraelit. Fatahu, partia politike palestineze që qeveris pjesë të Bregut Perëndimor, ka nënshkruar marrëveshje të përkohshme paqeje me Izraelin, ndërsa Hamasi refuzon të njohë zyrtarisht shtetin hebre.
Palët u ndanë dhunshëm kur luftëtarët e Hamasit dëbuan forcat e Fatahut nga Rajoni i Gazës në vitin 2007 dhe morën kontrollin e rajonit.
Prej asaj kohe Hamasi qeveris Gazën dhe është përfshirë në luftë me Izraelin, që u nxit nga sulmi terrorist i grupit ndaj pjesës jugore të shtetit hebre më 7 tetor të vitit 2023. Gjatë sulmit, Hamasi vrau 1200 persona dhe mori peng rreth 250 të tjerë.
Izraeli u kundërpërgjigj me sulme të pandërprera ajrore dhe tokësore që kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 38,500 personave e kanë plagosur më shumë se 88,800 të tjerë, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës që kontrollohet nga Hamasi.
Gjatë 17 viteve të fundit, Egjipti dhe vendet e tjera arabe kanë bërë përpjekje për të pajtuar Hamasin dhe Fatahun. Mbetet për t'u parë nëse marrëveshja e arritur në Pekin do t'i mbijetojë realitetit në terren.
Marrëveshja nënvizon ndikimin në rritje të Kinës në Lindjen e Mesme, pasi ka ndërmjetësuar një tjetër pakt paqeje mes Arabisë Saudite dhe Iranit.