Lidhje

Ministri i jashtëm i Ukrainës viziton Kinën për diskutime mbi paqen


Ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba/Reuters
Ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba/Reuters

KIEV/PEKIN – Ministri i jashtëm i Ukrainës do të vizitojë Kinën të martën me ftesë të Pekinit për bisedime, që sipas Kievit zyrtar, do të përqendrohen në mënyrat për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rolin e mundshëm kinez në arritjen e një marrëveshjeje.

Gati 29 muaj pas sulmit të Rusisë, Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba do të diskutojë rreth marrëdhënieve dypalëshe me Ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi gjatë vizitës që do të zhvillohet me 23 dhe 25 korrik, sipas njoftimit të ministrisë së jashtme ukrainase.

“Tema kryesore e diskutimit do të jetë gjetja e mënyrave për të ndalur agresionin e Rusisë dhe rolin e mundshëm të Kinës në arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë,” thuhet në njoftim e postuar në faqen e saj të internetit.

Komunikata kineze që njoftoi për vizitën e ministrit Kuleba ofroi më pak detaje.

Kjo vizitë është e pazakontë ngaqë Kina konsiderohet kryesisht si e afërt me Kremlinin, me të cilin Pekini ka shpallur një partneritet “pa kufizime” në vitin 2022, vetëm disa ditë para sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndonëse vendi me ekonominë e dytë më të madhe në botë nuk e ka dënuar sulmin rus dhe ka ndihmuar për zhvillimin e ekonomisë së Rusisë gjatë luftës, Kievi është treguar i kujdesshëm ne kritikat ndaj Pekinit.

Kina ndërkohë thotë se lidhjet e saj me Rusinë nuk janë të ndërtuara mbi bazat e një aleance dhe nuk janë të orientuara kundër një pale të tretë.

Ndërkohë që luftimet po zvarriten, nisma të ndryshme paqësore kanë dalë në pah gjatë muajve të fundit në prag të zgjedhjeve amerikane të nëntorit, që mund të rikthejnë në Shtëpinë e Bardhë ish Presidentin Donald Trump. Zoti Trump ka paralajmëruar se mund të ndërpresë ndihmat jetike për Ukrainën.

Kievi organizoi një takim ndërkombëtar pa praninë e Rusisë në Zvicër në muajin qershor për të promovuar një vizion të paqes dhe tani thotë se është i gatshëm të mbajë edhe një tjetër në nëntor me praninë e Rusisë.

Kina, që nuk mori pjesë në takimin e Zvicrës, së bashku me Brazilin, publikoi më 23 maj një plan paqeje të vetin me gjashtë pika, ku mbështet mbajtjen e një konference paqeje që do të pranohej nga dy palët e përfshira në luftë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar në të kaluarën se vetëm shtetet më të fuqishme të botës mund t’i japin fund luftës me sukses, duke përmendur Kinën dhe Shtetet e Bashkuara, aleatin e afërt të Kievit, si dy shembuj.

Udhëheqësi ukrainas ka thënë se Kina duhet të luajë një rol serioz që të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund luftës.

XS
SM
MD
LG