Lidhje

Gjashtë të vrarë dhe gjashtë të plagosur në një shtëpi kujdesi për të moshuarit në Kroaci


Policia kroate tha se një sulmues i armatosur hyri të hënën në një shtëpi kujdesi për të moshuarit në një qytet të qetë në Kroacinë qendrore dhe hapi zjarr duke vrarë gjashtë vetë dhe duke plagosur gjashtë të tjerë. Kryeministri i Kroacisë tha se viktimat ishin kryesisht në të 90-at.

Shefi i policisë së Kroacisë, Nikola Milina, tha se pesë persona vdiqën menjëherë ndërsa një tjetër vdiq në një spital nga pasojat e plagëve. I dyshuari iku nga vendi i ngjarjes, por policia e kapi në një kafene në qytetin e Daruvarit, tha ai.

Pesë nga viktimat ishin banorë të shtëpisë së kujdesit dhe një ishte punonjës, tha z. Milina.

I dyshuari është “nën mbikëqyrjen e policisë”, thuhet në një deklaratë nga zyra rajonale e policisë. Autoritetet po hetojnë motivin e sulmit.

Televizioni rajonal N1 raportoi se vrasësi është i lindur në vitin 1973 dhe ishte një polic në pension i cili kishte marrë pjesë në luftën e viteve 1991-1995 në Kroaci. Zyrtarët thanë se në mesin e të vrarëve është nëna e tij, e cila jetonte në shtëpinë e kujdesit për 10 vitet e fundit.

Banori i Daruvarit, Zlatko Sutuga, tha për kanalin Nova TV se ai e njeh sulmuesin "nga koha e luftës".

"Njerëzit thonë se ai ishte me të vërtetë agresiv, alkoolist dhe të gjitha këto", tha Sutuga. “Nëna e tij ishte brenda, ai dyshohet se kishte ardhur për ta vrarë atë”.

Sulmi e la qytetin të tronditur dhe të pikëlluar. Daruvari është një qytet ilixhesh në komunën e Sllavonisë, me një popullsi prej 8,500 banorësh.

Kryetari i komunës së Daruvarit, Damir Lnenicek, tha për kanalin N1 se të gjithë ishin të tronditur.

“Cili është shkaku, shkaktari, është e vështirë të thuhet. Kjo do të përcaktohet nga hetimet, tha ai duke shtuar se tragjedia ka ndodhur në një shtëpi private ku ndodheshin rreth 20 persona. Ai tha se është një shtëpi e shkëlqyer.

Presidenti kroat Zoran Milanovic tha se ai ishte "i tronditur" nga "krimi i egër dhe i pashembullt”.

“Është një paralajmërim i frikshëm dhe një thirrje e fundit për të gjitha institucionet përgjegjëse që të bëjnë më shumë për të parandaluar dhunën në shoqëri, duke përfshirë kontrollin edhe më të rreptë të mbajtjes së armëve”, tha ai.

Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç tha se ishte "i tmerruar dhe i tronditur".

Zyrtarët e policisë thanë se sulmuesi përdori një armë të paregjistruar. Ka shumë armë që mbahen në shtëpi private në Kroaci që pas shpërbërjes së përgjakshme të ish Jugosllavisë në vitet 1990.

XS
SM
MD
LG