Kamala Harris, nënpresidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara, mund të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidate për presidente të vendit në zgjedhjet e nëntorit.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Uashington, Carolyn Presutti i hedh një vështrim të kaluarës së zonjës Harris dhe angazhimeve të saj në rolin e nënpresidentes gjatë katër viteve të fundit.
Një moment historik për Shtetet e Bashkuara...Më 20 janar 2021 senatorja Kamala Harris u bë gruaja e parë në postin e nënpresidentes amerikane.
“Është nder që jam këtu, të qëndroj në krah të atyre që ishin para nesh” - tha zonja Harris pasi mori detyrën.
Ajo është gjtihashtu afrikano-amerikania dhe indiano-amerikania e parë që shërben në postin e dytë më të lartë në vend.
“Ajo ka thyer shumë barriera për shumë gra” - thotë ligjvënësja demokrate Barbara Lee.
Zonja Harris lindi në Oakland të Kalifornisë nga një nënë indiane dhe një baba xhamajkian. Ajo është pjesë e një murali në shkollën ku ndoqi mësimet si fëmijë, një vepër që bën thirrje për barazi racore.
E diplomuar në Universitetin Howard, zonja Harris u bë prokurorja e parë grua e qarkut në San Francisko më 2004 dhe më vonë, më 2011, gruaja e parë afrikano-amerikane që shërbeu si prokurore e përgjithshme e Kalifornisë.
Si nënpresidente zonja Harris u bë një nga zërat kryesorë të administratës kundër vendimit të Gjykatës së Lartë që përmbysi vendimin e vitit 1973 që e bënte të ligjshëm abortin në mbarë vendin. Gjatë mandatit të tij, ish-presidenti Donald Trump emëroi tre gjyqtarë konservatorë në Gjykatën e Lartë.
“Ai mburret dhe merr meritat për përbysjen e ligjit ‘Roe kundër Wade’. Prandaj, mos gaboni. Nëse Trumpit i jepet një shans, ai do ta ndalonte abortin në nivel kombëtar, do ta bënte të jashtëligjshëm në çdo shtet”, tha zonja Harris në një fjalim më 9 korrik 2024.
Nënpresidentja mbështet po ashtu vazhdimin e ‘Ligjit për Kujdesin e Përballueshëm’ dhe uljen e çmimit të insulinës.
Që në fillim të mandatit, ajo u vu në krye të përpjekjeve të administratës për menaxhimin e situatës në kufi.
Emigracionit është një nga çështjet kryesore në fushatën e elektorale për zgjedhjet e këtij viti.
"Tani, bashkëshortët pa dokumente të qytetarëve amerikanë që ndodhen në Shtetet e Bashkuara për dhjetë ose më shumë vite, mund të qëndrojnë, ndërsa aplikojnë për leje të përhershme qëndrimi”, tha nënpresidentja Harris.
Duke folur me grupe pro-emigrantësh si aziatiko-amerikanët, banorët indigjenët në Havai dhe Ishujt e Paqësorit, ajo e vë theksin tek fjalët e republikanit Trump.
“Ai që përçmon emigrantët, që nxit frikën nga të huajt, që ushqen urrejtjen, nuk duhet të ketë më kurrë mundësinë të qëndrojë pas mikrofonit dhe vulës së presidentit amerikan”, thotë zonja Harris.
Nënpresidentja Harris është bërë më aktive në tubimet elektorale, pas paraqitjes së dobët të presidentit Biden në debatin e qershorit me ish-presidentin Trump.
“E kemi mposhtur Trumpin një herë, do ta mposhtin sërish”, thotë nënpresidentja Harris.
Pas tërheqjes së presidentit Biden nga gara të dielën, nëse zonja Harris merr emërimin e partisë, ajo do të shënonte një tjetër moment historik, si gruaja e parë afrikano-amerikane dhe indiano-amerikane që kandidon për postin më të lartë në vend.