Lidhje

Donald Trump i rikthehet fushatës pas Kuvendit Kombëtar Republikan


Kandidati republikan për President Donald Trump mban të shtunën tubimin e tij të parë publik të fushatës që kur u plagos në atentatin ndaj tij para një jave në Pensilvani dhe i pari që kur mori zyrtarisht emërimin në Kuvendin e partisë së tij në Miluoki.

Ai do të flasë para mbështetësve të tij në Miçigan, një nga shtetet që pritet të jenë vendimtare për të përcaktuar fatin e zgedhjeve të nëntorit. Zoti Trump shkon në Miçigan me kandidatin e ri për nënpresident, senatorin e Ohajos J.D. Vance. Është tubimi i parë ku ata shfaqen së bashku që kur ish-Presidenti Trump zgjodhi zotin Vance si kandidat për nënpresident.

Dy republikanët do të flasin në Grand Rapids, një qytet që historikisht ka qenë bastion e republikanëve por që vitet e fundit gjithnjë e më shumë ka anuar nga demokratët. Zoti Trump fitoi me një diferencë prej vetëm mbi 10 mijë votash në Miçigan në vitin 2016, por demokrati Joe Biden fitoi në këtë shtet në vitin 2020, me një diferencë prej 154,000 votash.

Përzgjedhja e zotit Vance nga zoti Trump u pa si një përpjekje për të rritur mbështetje mes votuesve në shtete si Miçigani, Pensilvania, Viskonsin dhe Ohajo, të cilët e ndihmuan Trumpin të siguronte fitoren në vitin 2016.

Senatori Vance i veçoi këto shtete në fjalimin e tij në Kuvendin Republikan, duke e vënë theksin tek fëmijëria e tij e varfër në një qytet të vogël të Ohajos dhe duke premtuar se nuk do t’i harrojë banorët e klasës punëtore si ata mes së cilëve është rritur, "vendet e punës së të cilëve zhvendosën në jashtë vendit dhe fëmijët e të cilëve u dërguan në luftra".


Demokratët mbizotëruan në zgjedhjet e fundit në Michigan, por republikanët tani shohin një shteg fitoreje, në kushtet kur demokratët janë gjithnjë e më të përçarë lidhur me kandidaturën e zotit Biden.

Presidenti Biden ka këmbëngulur se nuk po heq dorë nga gara dhe është përpjekur ta zhvendosë vëmendjen tek zoti Trump, duke thënë të premten se fjalimi i rivalit të tij republikan në Kuvendin Republikane shpalosi një "vizion të zymtë për të ardhmen".

Presidenti 81-vjeçar demokrat, i cili bëi fushatë në Detroit këtë muaj, aktualisht po qëndron në shtëpinë e tij në plazh në Delauerë pasi u diagnostikua me COVID-19.

Grand Rapids është qyteti më i madh në distriktin e Kentit, një nga tre qarqet e Miçiganit ku zoti Trump fitoi në vitin 2016, por ku zoti Biden fitoi në vitin 2020.

Bëhet fjalë gjithashtu për një zonë ku Nikki Haley siguroi një numër të konsiderueshëm votash në zgjedhjet paraprake republikane në shkurt dhe të dyja fushatat presidencial po përpiqen t’i bëjnë për vete votuesit që e mbështetën atë.

Ligjvnënësja amerikane Hillary Scholten, një demokrate që përfaqëson qytetin Grand Rapids, është një prej ligjvënësve që po i bëjnë thirrje zotit Biden të largohet, një numër gjithnjë më në rritje.

XS
SM
MD
LG