Ligjvënësit e Parlamentit Evropian i dhanë një mandat të dytë pesëvjeçar presidentes së komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen.
Zonja von der Leyen ngriti grushtet lart ndërsa presidentja e Parlamentit, Roberta Metsola lexoi rezultatin e votimeve.
“5 vite të tjera. Nuk mund të shpreh sa mirënjohëse jam për besimin e të gjithë eurodeputetëve që më votuan”, tha ajo në rrjetin X.
Fitorja siguron vazhdimësinë e udhëheqjes së bllokut prej 27 vendesh ndërsa përballet me kriza të ndryshme, që nga lufta në Ukrainë, ndryshimet klimatike, migrimi dhe mungesa e strehimit.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz vlerësoi fitoren e zonjës von der Leyen, duke shkruar në rrjetin X se rizgjedhja e saj është: “një shenjë e qartë e aftësisë sonë për të vepruar në Bashkimin Evropian, veçanërisht në kohë të vështira. Evropianët presin që ne ta çojmë Evropën përpara. Le ta bëjmë këtë!”
Shumica e Parlamentit prej 720 anëtarësh votoi për kristiano-demokraten gjermane pas një fjalimi ku ajo premtoi të jetë një udhëheqëse e fortë për Evropën në një kohë krizash dhe polarizimi.
Zonja Von der Leyen siguroi 401 nga 707 votat e hedhura. Kundër kandidaturës së saj u hodhën 284 vota, 15 abstenime dhe shtatë vota ishin të pavlefshme. Votimi i fshehtë vjen pasi partitë e ekstremit të djathtë shënuan rezultate të mira në zgjedhjet e muajit të kaluar për Parlamentin Evropian.
“Kurrë nuk do të lejoj që polarizimi ekstrem i shoqërive tona të bëhet normë. Unë kurrë nuk do të pranoj që demagogët dhe ekstremistët ta shkatërrojnë mënyrën e jetesës tonë evropiane. Jam këtu sot e gatshme për të udhëhequr luftën me të gjitha forcat demokratike në këtë parlament”, tha zonja von der Leyen në fjalimin e saj të fundit.
Në fjalimin drejtuar të gjithë spektrit politik, zonja von der Leyen u zotua të forcojë ekonominë e BE-së, policinë dhe agjencitë e saj kufitare, të trajtojë problemet e emigracionit dhe të ndjekë politika për të luftuar ndryshimet klimatike, duke ndihmuar gjithashtu fermerët.