Në Shtetet e Bashkuara, Senatori demokrat Bob Menendez u shpall fajtor nga një gjykatë në Nju Jork për marrje ryshfeti, përfshirë para në dorë, objekte floriri dhe një makinë luksoze nga tre biznesmenë të Nju Xhersit. Një ish-prokuror federal i tha Zërit të Amerikës se shpallja fajtor e një prej senatorëve më me ndikim tregon se në Shtetet e Bashkuara nuk ka njeri mbi ligjin, pavarësisht pushtetit që mban. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Aron Ranen, Senatori Menendez tani përballet me mundësinë e një dënimi me vite të tëra burg
Një nga senatorët më me ndikim të Shteteve të Bashkuara të vendit, Robert Menendez, është shpallur fajtor se ka marrë qindra mijëra dollarë ryshfet në këmbim të abuzimit me postin e tij për të pasuruar dhe mbrojtur dy biznesmenë. Ai gjithashtu u shpall fajtor se kishte punuar si agjent i qeverisë së Egjiptit.
“Bëhet fjalë për nivele tronditëse korrupsioni, qindra mijëra dollarë ryshfet në formën e parave të gatshme, objekte ari, një Mercedes Benz. Ai bëri politikë për fitime dhe tani që juria e ka shpallur fajtor Bob Menendezin, vitet e tij të shitjes të fuqisë së postit më në fund kanë marrë fund”, thotë Damian Williams, prokurori federal i çështjes në Nju Jork.
Pas vendimit të jurisë, ndërsa largohej nga gjykata në Manhatan, senatori nga Nju Xhersi i mohoi akuzat.
“Jam thellësisht i zhgënjyer nga vendimi i jurisë. Unë kam besim të plotë se ligji dhe faktet nuk e mbështetën atë vendim dhe se ne do të jemi të suksesshëm pas apelit. Nuk kam qenë kurrë asgjë tjetër përveçse një patriot. Unë kurrë nuk kam qenë agjent i huaj”, tha Senatori Menendez.
Anëtarëve të jurisë iu deshën mbi 12 orë gjatë tre ditëve që të arrinin tek vendimi. Procesi zgjati nëntë javë.
“Ky është një vendim historik, sepse senatori Menendez nuk është dënuar vetëm për korrupsion, por edhe si agjent i një qeverie të huaj”, thotë për Zërin e Amerikës ish-prokurori federal Neama Rahmani.
Ai vlerëson se senatori mund të dënohet me vite burg.
“Dënimi maksimal i mundshëm për disa nga akuzat është 20 vjet burg. Ky rast dhe vendimi që u mor tregon se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë një senator i fuqishëm dhe i rangut të lartë si Bob Menendez. Nëse shkel ligjin dhe nëse pranon ryshfet, do të kapesh dhe do të dënohesh”, thotë zoti Rahmani.
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara i jep Kongresit të dejtën të përjashtojë Senatorin Menendez. Profesor Thomas Whalen nga Universiteti i Bostonit, thotë se kjo nuk është një detyrë e lehtë.
“Mundësia që të sigurosh dy të tretat e votave në Senat për të përjashtuar një anëtar është diçka e vështirë për t’u arritur. Që prej krijimit të shtetit, mendoj se ka rreth 15 senatorë që janë përjashtuar. Hartuesit e Kushtetutës e kanë bërë të vështirë këtë proces, pasi nuk donin që anëtarët e Kongresit të përjashtoheshin për shkak të trysnisë publike”, thonë për Zërin e Amerikës Thomas Whalen nga Universiteti i Bostonit.
Ekipi ligjor i Senatorit Menendez ka njoftuar se do ta apelojë vendimin.