Lidhje

Kina dhe Rusia, stërvitje të përbashkët detare në Oqeanin Paqësor


China Russia
China Russia

Forcat detare të Kinës dhe Rusisë filluan të dielën një stërvitje të përbashkët në një port ushtarak në Kinën jugore, njoftoi agjencia kineze e lajmeve Xinhua, disa ditë pasi aleatët e NATO-s thanë se Pekini po ndihmon luftën e Moskës në Ukrainë.

Ministria kineze e mbrojtjes tha përmes një deklarate se forcat nga të dyja palët patrulluan së fundmi në pjesën perëndimore dhe veriore të Oqeanit Paqësor dhe se operacioni nuk kishte të bënte me situata ndërkombëtare dhe rajonale dhe nuk kishte në shënjestër asnjë palë të tretë.

Stërvitja, e cila filloi në provincën Guangdong të dielën dhe pritet të zgjasë deri më 17 korrik, ka për qëllim të demonstrojë aftësitë e forcave detare në trajtimin e kërcënimeve të sigurisë dhe ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë në nivel global dhe rajonal, njoftoi transmetuesi shtetëror kinez CCTV të shtunën. Mbrojtja nga sulmet me raketa, sulmet detare dhe ato ajrore do të jenë pjesë e stërvitjes, thuhej më tej në njoftimin e kanalit kinez CCTV.

Agjencia e lajmeve Xinhua njoftoi se forcat detare kineze dhe ato ruse kryen stërvitje ushtarake simulimi dhe koordinimi taktik pas ceremonisë së fillimit të stërvitjes në qytetin e Zhanjiangut.

Stërvitjet e përbashkëta pasojnë tensionet e javës së kaluar mes Kinës dhe aleatëve të NATO-s.

Komunikata përfundimtare, e miratuar nga 32 vendet anëtare të NATO-s në takimin e tyre të nivelit të lartë në Uashington, e bëri të qartë se Kina po bëhet temë e rëndësishme e aleancës ushtarake, duke e quajtur Pekinin një "ndihmës vendimtar" të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Anëtarët evropianë, ata Amerikës së Veriut dhe partnerët e tyre në Indo-Paqësor e shohin gjithnjë e më shumë si shqetësim të përbashkët sigurie Rusinë dhe partnerët e saj aziatikë, veçanërisht Kinën.

Kina u përgjigj duke akuzuar NATO-n se kërkon siguri për aleatët e saj duke dëmtuar vende të tjera dhe bëri thirrje që aleanca të mos sjellë të njëjtin "kaos" në Azi. Ministria e saj e jashtme pohoi se Kina ka një qëndrim të drejtë dhe objektiv për luftën në Ukrainë.

Javën e kaluar, një anije e Rojës Bregdetare amerikane gjatë një patrullimi rutinë në Detin Bering hasi në disa anije ushtarake kineze në ujërat ndërkombëtare, por brenda zonës ekskluzive ekonomike të Shteteve të Bashkuara, thanë zyrtarët amerikanë. Ekuipazhi i anijes amerikane zbuloi tre anije rreth 200 kilometra në veri të Ngushticës Amçitka, në Ishujt Aleutian, vija ndarëse mes Oqeanit Paqësor dhe Detit Bering.

Më vonë, një anije e katërt u pa rreth 135 kilometra në veri të Ngushticës Amukta.

Pala amerikane tha se anijet detare kineze operonin brenda rregullave dhe normave ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG