Analistët vlerësojnë se lirimi i të akuzuarve për grusht shteti paraqet gjendjen aktuale të gjyqësorit në Mal të Zi, i cili, sipas tyre, po instrumentalizohet për interesa partiake.
Ata theksojnë se lirimi i të akuzuarve për grusht shtet është i rrezikshëm për të ardhmen e Malit të Zi.
Gjykata e Lartë në Podgoricë, liroi të gjithë personat e akuzuar për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016, me qëllim të parandalimit të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Analistët vlerësojnë se lirimi i të akuzuarve për grusht shteti paraqet gjendjen aktuale të gjyqësorit në Mal të Zi, i cili, sipas tyre, po instrumentalizohet për interesa partiake.
Analisti dhe njohësi i mirë i zhvillimeve politike në Malin e Zi, Nail Draga, vë në dukje politizimin e shtuar të gjyqësorit në vend.
“Është paseriozitet i organeve të drejtësisë në Malin e Zi nga fakti se kjo procedurë ka qenë e tej zgjatur duke përfshirë 8 vite dhe në këtë mënyrë janë krijuar situata jo të favorshme tek qytetarët për arsye se organet e drejtësisë është dashur t'i kryejnë punët e tyre. Si prokuroria , gjykata ashtu edhe ministria e Drejtësisë pothuajse janë politizuar dhe kanë marrë përmasa krejt të tjera duke zemëruar opinionin e gjerë dhe lirimi i tyre nga akuza për grusht-shtet dëshmon më së miri një konstatim të tillë,” tha zoti Draga.
Edhe analisti dhe ish kryetari i Odës së Avokatëve në Mal të Zi, Velija Muriç e sheh gjyqësorin malazez si të manipuluar për qëllime të dyshimta.
“Fillimisht Gjykata e Lartë i ka dënuar aktorët në fjalë, ndërkohë që Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin për ta përsëritur dhe kjo është një rrugë pa cak për gjyqësorin malazez”, tha zoti Muriq.
Avokati Murië është i rezervuar ndaj procesit gjyqësor, të cilin e konsideron si mjaft të dyshimtë.
“Perceptimi im si qytetar, por edhe si një profesionalist është se procesi i grusht shtetit paraqitet i dyshimtë në natyrën e vet, sepse me disa armë është e paimagjinueshme të cënohet shteti,” tha zoti Muriç.
Ndërkaq, analisti Dragaj, vë në dukje se lirimi i të akuzuarve për grusht shtet është i rrezikshëm për të ardhmen e Malit të Zi.
“Unë e trajtoj këtë çështje si vazhdimësi e politikës serbe dhe ruse në Ballkan me qëllim të caktuar në territorin e Malit të Zi, duke e trajtuar këtë vend si pjesë të botës serbe. Vetëm fakti se në pushtetin e Malit të Zi nga viti 2020 kanë ndodhur ndryshime dhe është instaluar një pushtet pro serb duke u nisur edhe nga qeveria dhe parlamenti, por edhe zgjedhjen e presidentit malazez, dëshmon se politika pro serbe dhe pro ruse është në vazhdimësi dhe po vepron kundër qëndrueshmërisë dhe pavarësisë së Malit të Zi”, tha zoti Draga.
Gjykata e Lartë në Podgoricë, liroi të gjithë personat e akuzuar për përfshirje në një përpjekje për grusht shteti në vitin 2016, me qëllim parandalimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.
Të gjithë personat e liruar qenë dënuar më gjithsej 70 vjet heqje lirie në vitin 2019, por dy vjet më pas, Gjykata e Apelit e riktheu çështjen në rigjykim.
Ata akuzoheshin se kishin planifikuar të pushtonin parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm Milo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse.