Super makina që punojnë me ajër dhe ujë, kjo është ëndrra e kompanisë “Zero” që prodhon lëndë djegëse sintetike. Me seli në Mbretërinë e Bashkuar, kompania thotë se një ekip i garave të makinave sportive F1 po përdor karburantin sintetik që nuk e ndot mjedisin kur digjet në motorin e makinave. Kompania thotë se karburanti sintetik do të prodhohet në shkallë komerciale brenda disa viteve dhe mund të përdoret në të gjitha makinat aktuale, avionët apo makineritë që përdorin benzinë apo naftë.
Kjo është makina sportive Lamborgini Sterrato e cila po përdor një lëndë djegëse sintetike të prodhuar nga ajri dhe uji. Kompania që prodhon këtë lëndë djegëse njoftoi për një partneritet me ekipin “Stake F1 Team Kick Sauber” në garën “Formula One”. Synimi është që deri në vitin 2030 sporti i garave me makina të eliminojnë sa më shumë ndotjet nga karboni.
Kompania “Zero” e prodhon lëndën djegëse në një fabrikë të vogël në Oxfordshire dhe ka në plan që vitet e ardhshme të rrisë kapacitetet në shkallë komerciale. Nilay Shah drejton anën shkencore të kompanisë Zero.
“Ka dy gjëra që e bëjnë speciale këtë lëndë djegëse. E para, prodhohet nga ajri, uji dhe energjia elektrike. Këto janë materialet tona bazë. Kjo lëndë djegëse është identike ose edhe më e mirë se karburanti fosil ekzistues. Kështu që do të funksionojë për makinat aktuale, trenat, aeroplanët dhe makineri të tjera”, thotë Nilay Shah nga kompania "Zero".
Fabrika prodhon lloje të ndryshme lënde djegëse. Makinat sportive kërkojnë lëndë djegëse të posaçme pasi motorët e makinave të garave funksionojnë ndryshe nga makinat e zakonshme.
Kjo lëndë djegëse prodhohet përmes ndarjes së dioksidit të karbonit nga ajri dhe hidrogjenit nga uji duke përdorur energji të rinovueshme. Më pas ato bashkohen për të krijuar monoksid karboni i cili përpunohet përmes katalizatorëve për të krijuar lëndën djegëse sintetike.
“Magjia ndodh këtu, duke përftuar hidrogjen dhe monoksid karboni. Hidrogjeni dhe monoksidi i karbonit kalon nëpër reaktor, ku kemi një numër tubacionesh me katalizatorë, dhe në anën tjetër del lënda djegëse që dëshirojmë. Ky është reaktori kryesor në të gjithë këtë proces”, thotë Nilay Shah i cili drejton anën shkencore të kompanisë “Zero”.
Kompania “Zero” u themelua nga Paddy Lowe, i cili ka punuar për dhjetëra vite në “Formula One”.
Ai parashikon që fillimisht, kur karburanti i parë sintetik të dalë në treg, të kushtojë rreth katër deri në pesë herë më shtrenjtë se karburantet tradicionale dhe se kostoja do të bjerë me shpejtësi gjatë dhjetë viteve të ardhshme.
Sipas të dhënave nga “Formula One” ndotja e shkaktuar gjatë garave të vitit 2022 ishte rreth 223,031 ton dioksid karboni ose 13 për qind më pak se në vitin 2018. Karburanti sintetik nuk shkakton ndotje.