Lidhje

Udhëheqësit botërorë dënojnë atentatin ndaj ish presidentit Trump


Udhëheqësit botërorë e dënuan me shpejtësi sulmin e së shtunës ndaj ish presidentit amerikan Donald Trump në një tubim në Pensilvani, duke denoncuar dhunën politike dhe duke i uruar atij shërim të shpejtë.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, dënoi sulmin duke e quajtur atë një "akt të dhunës politike".

Kryeministri japonez Fumio Kishida tha se "ne duhet të qëndrojmë të vendosur kundër çdo forme dhune që sfidon demokracinë".

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ishte "i tmerruar nga skenat tronditëse" në tubim. “Dhuna politike në çfarëdo forme nuk ka vend në shoqëritë tona dhe mendimet e mia janë me të gjitha viktimat e këtij sulmi”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se nuk kishte "asnjë justifikim" për një dhunë të tillë dhe u shpreh "i lehtësuar" që ish presidenti Trump, i cili shpesh ka kritikuar ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, ishte i sigurt dhe i uroi "një shërim të shpejtë".

Kryeministri australian Anthony Albanese tha se të shtënat ishin "shqetësuese”, ndërsa kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se sulmi e e la atë "të neveritur”. “Dhuna politike nuk është kurrë e pranueshme”, shtoi ai.

Komente të ngjashme bënë edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, Egjiptit, Tajlandës, Tajvanit, Koresë së Jugut, Zelandës së Re, Italisë, Suedisë, Holandës dhe Filipineve.

"Është një tragjedi për demokracitë tona", tha presidenti francez Emmanuel Macron. “Franca ndan tronditjen dhe indinjatën e popullit amerikan”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha në një postim në rrjetin X se sulmi ishte "i neveritshëm" dhe akte të tilla të dhunshme kërcënojnë demokracinë.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha gjithashtu se të shtënat e lanë atë të tronditur. Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili u takua me zotin Trump këtë javë gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara ku mori pjesë në takimin e NATO-s, tha se lutjet e tij ishin me ish presidentin "në këto orë të errëta".

Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva e cilësoi sulmin të papranueshëm, ndërsa u bëri thirrje të tjerëve që ta dënojnë atë.

"Sulmi kundër ish presidentit Donald Trump duhet të dënohet me forcë nga të gjithë mbrojtësit e demokracisë dhe dialogut në politikë. Ajo që pamë sot është e papranueshme", tha udhëheqësi brazilian.

Kryeministri indian Narendra Modi e quajti Trumpin mik dhe i uroi shërim të shpejtë ndërsa dënoi “me forcë incidentin. Dhuna nuk ka vend në politikë dhe demokraci", tha ai.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, tha se “kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike, kundër të gjitha formave të dhunës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se “çdo lloj dhune politike kudo është absolutisht e papranueshme dhe ne e dënojmë ashpër atë”, ndërsa kryeministri Albin Kurti theksoi se “mosmarrëveshjet politike në një demokraci duhet të shprehen gjithmonë përmes formave paqësore të fjalës dhe protestës dhe të zgjidhen me zgjedhje të lira dhe të ndershme”.

XS
SM
MD
LG