Lidhje

Trump fushatë në Pensilvani mes pikëpyetjesh mbi emrin e kandidatit për nënpresident


Ish-presidenti Donald Trump do të mbajë të shtunën pasdite një tubim pranë qytetit të Pitsburgut në Pensilvani, një shtet fushëbeteje për zgjedhjet e nëntorit. Takimi elektoral vjen ndërsa zoti Trump nuk i ka shuar ende pikëpyetjet se kë do të zgjedhë si kandidat për nënpresident.

Ai ka thënë se emrin do ta shpallë pak përpara ose gjatë Konventës Kombëtare të Partisë Republikane, e cila nis të hënën në Milluoki të Viskonsinit, ku si vetë ai ashtu edhe kandidati republikan për nënpresident, do të emërohet zyrtarisht.

Gjatë një interviste radiofonike të premten zoti Trump përmendi si kandidatë të mundshëm senatorin e Ohajos, J.D. Vance, senatorin e Floridës Marco Rubio, Guvernatorin e Dakotës së Veriut Doug Burgum, si dhe senatorin e Karolinës së Jugut Tim Scott.

Ai tha se mund të ishin "katër ose pesë" emra nën shqyrtim dhe e krahasoi procesin e përzgjedhjes me një "variant shumë të sofistikuar të "The Apprentice", një program televiziv që zoti Trump ka drejtuar vite më parë ku pjesmarrësit konkurronin për një vend pune në kompaninë e tij.

Vendimi vjen në një moment shqetësimesh për demokratët pas paraqitjes së dobët në debatin e parë presidencial të zotit Biden që u mbajt më 27 qershor.

Një numër në rritje ligjvënësish demokratë kanë kërkuar që presidenti Biden të largohet nga gara, po ai ka thënë se nuk ka në plan ta bëjë një gjë të tillë.

Tubimi i zotit Trump të shtunën në mbrëmje në Pensilvani nënvizon rëndësinë e shtetit, të cilin ai e fitoi në zgjedhjet e 2016-s, por e humbi në 2020-n.

Pensilvania shihet sërish një nga disa shtetet që ka të ngjarë të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në muajin nëntor dhe si zoti Trump ashtu edhe zoti Biden, e kanë vendosur atë nën shënjestër duke e vizituar shpesh apo duke derdhur burime të fushatës.

Të dielën e kaluar zoti Biden vizitoi një kishë të komunitetit afrikano-amerikan në Filadelfia dhe mbajti një aktivitet me përfaqësues të sindikatave në Harrisburg. Zoti Trump mbajti një tubim në Filadelfia tre javë më parë, një aktivitet që ai e cilësoi si një mundësi për të tërhequr votuesit me ngjyrë.

Ish-presidenti do të përdorë tubimin e së shtunën për të folur mbi inflacionin, krimin e problematika të tjera për të cilat ai fajëson zotin Biden, thuhej në një deklaratë të nxjerrë nga zyrtarë të fushatës së tij.

"Mendoj se njerëzit presin të dëgjojnë se kë do të zgjedhë ai për postin e nënpresidentit. Nuk besoj se do ta dëgjojnë këtë gjë”, tha në lidhje me tubimin Christopher Nicholas, këshilltar republikan nga Pensilvania. “Trump do të tregohet i kujdesshëm”, shtoi ai.

XS
SM
MD
LG