Lidhje

Parlamenti i Kosovës miraton deklaratë në përkujtim të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë


Me 84 vota për, parlamenti i Kosovës miratoi të enjten një deklaratë me anë të së cilës përkujton viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, 29 vjet më parë.

Deputetët e parlamentit mbajtën një minutë heshtje për viktimat para miratimit të deklaratës në të cilën theksohet se Kosova “kundërshton mosndëshkimin e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit e të luftës dhe shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare, ndërsa bën thirrje për paqe të qëndrueshme, drejtësi dhe pajtim”

Në deklaratë po ashtu vlerësohet miratimi i Rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, si dhe qëndrimet dhe argumentimet e shprehura përmes saj.

“Mbështetet vlerësimi fuqishëm i argumenteve të Kombeve të Bashkuara se përgjegjësia penale sipas ligjit ndërkombëtar për krimin e gjenocidit është i individualizuar dhe nuk mund të atribuohet asnjë grupi etnik, fetarë apo tjerë ose komunitet në tërësi”, thuhet në deklaratën e lexuar nga nënkryetari i parlamentit nga radhët e komunitet boshnjak në Kosovë, Bahrim Shabani.

Deklarata e parlamentit të Kosovës shprehë solidarizimin “me të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, ndërsa kujtimi i Srebrenicës të shërbejë si një kujtesë e mprehtë e përgjegjësisë kolektive për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen”.

Deklarata u miratua një ditë pasi që qeveria e Kosovës shpalli 11 korrikun Ditë Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë, në dritën e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të 23 majit të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha të mërkurën se derisa familjet ende kërkojnë eshtrat e të dashurve të tyre, Serbia refuzon të kërkojë falje dhe të pranojë të kaluarën e saj gjenocidale.

“Andaj, nuk ka kohë më të rëndësishme se tani për të kujtuar viktimat e Srebrenicës. Teksa vazhdojnë mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e dhunës, pasardhësit politikë të Millosheviçit që udhëheqin me Serbinë, ringjallin ambiciet e ekspansioniste ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës por dhe Kosovës”, tha kryeministri Kurti.

Në korrik të vitit 2021 parlamenti i Kosovës, miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë të Bosnjës në korrik të vitit 1995.

Më 11 korrik të vitit 1995, serbët e Bosnjës pushtuan Srebrenicën që ishte shpallur zonë e sigurt e mbrojtur nga Kombet e Bashkuara dhe vranë të paktën 8,000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë.

Vrasjet e Srebrenicës ishin kulmi i përgjakshëm i luftës në Bosnjë përgjatë viteve 1992-1995, e cila pasoi shpërbërjen e ish Jugosllavisë.

Si Serbia ashtu edhe serbët e Bosnjës kanë mohuar se ka ndodhur gjenocid në Srebrenicë edhe pse kjo është vërtetuar nga dy gjykata të OKB-së.

XS
SM
MD
LG