Lidhje

Trupat izraelite kryejnë sulme gjithandej Rripit të Gazës


Ushtria izraelite kreu sulme ajrore të hënën në të gjithë Rripin e Gazës dhe kundër militantëve të Hezbollahut në Libanin jugor.

Banorët raportuan gjithashtu operacione tankesh izraelite në qytetin e Gazës, në veri të territorit, ku ushtria izraelite tha se po kryente operacione kundër terrorizmit.

Në jug të Gazës, Forcat Mbrojtëse të Izraelit raportuan se kanë vrarë më shumë se 30 militantë.

Dhuna e sotme shpërtheu një ditë pasi protestuesit izraelitë bllokuan autostradat anembanë vendit duke bërë thirrje për një armëpushim dhe për dorëheqjen e kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Bllokada e së dielës filloi në orën 6:29 të mëngjesit sipas kohës lokale, duke vënë në dukje kohën kur militantët e Hamasit lëshuan raketat e para drejt Izraelit më 7 tetor të vitit të kaluar, në sulmin gjatë të cilit u vranë 1200 veta dhe 250 të tjerë u morën peng.

Protestuesit bllokuan rrugët kryesore dhe demonstruan para shtëpive të deputetëve të parlamentit të Izraelit. Pranë kufirit me Gazën, protestuesit izraelitë lëshuan 1500 balona të zeza dhe të verdha, për të kujtuar ata që u vranë dhe u rrëmbyen.

Kundërsulmi tokësor dhe ajror i Izraelit në Gaza, la pas vetes më shumë se 38,000 palestinezë të varrë, sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Izraeli beson se Hamasi ende mban peng 116 veta përfshirë 42 për të cilët ushtria thotë se janë të vdekur.

Izraeli dhe Hamasi mund t'i afrohen një armëpushimi pasi Hamasi hoqi dorë nga kërkesa që çdo marrëveshje të përfshinte një përfundim të plotë të luftës, megjithëse të dyja palët thanë se mbeten boshllëqe të konsiderueshme.

Bisedimet për t'u dhënë fund luftimeve kanë ngecur për javë të tëra, por dy zyrtarë të Hamasit thanë të dielën se grupi palestinez po pret një përgjigje nga Izraeli për propozimin e armëpushimit, pesë ditë pasi ai pranoi një pjesë thelbësore të një plani të Shteteve të Bashkuara, që synon t'i japë fund luftës.

Propozimi amerikan me tre faza për territorin palestinez u paraqit në fund të majit nga presidenti Joe Biden dhe po ndërmjetësohet nga Katari dhe Egjipti. Plani synon t’i japë fund luftës dhe të mundësojë lirimin e pengjeve të mbetura.

Rreth 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi nëntorin e kaluar, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli.

Drejtori i Agjencisë Qendrore amerikane të Zbulimit (CIA), William Burns, do të udhëtojë në Katar këtë javë për negociata të mëtejshme, sipas një burimi të afërt me këtë çështje.

XS
SM
MD
LG