Lidhje

Policia dhe protestuesit përgatiten për Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në Çikago


Kuvendin Kombëtar i Partisë Demokrate
Kuvendin Kombëtar i Partisë Demokrate

Kuvend Kombëtar i Partisë Demokratike pas pak javësh do të rikthehet në qytetin e Çikagos, në të njëjtin vend ku përplasjet e përgjakshme në vitin 1968 ndërmjet policisë dhe protestuesve kundër luftës lanë një njollë të pashlyeshme në historinë e kësaj partie. Tani kur konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hamasit po vazhdon dhe protestuesit po kërkojnë nga Presidenti Biden të veprojë për ta ndalur luftën, shqetësimet po shtohen për protesta të ngjashme.

Policia dhe protestuesit përgatiten për Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në Çikago
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:21 0:00

Policia dhe protestuesit po përgatiten për Kuvendin katër ditor, që do të mbahet nga data 19 deri më 22 gusht, ku pritet të marrin pjesë rreth 50,000 vizitorë. Forcat policore po kryejnë stërvitje për të menaxhuar situatën e sigurisë ndërkohë që 50 organizata po planifikojnë protesta kundër administratës së Presidentit Biden dhe qëndrimit të saj ndaj luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë.

Qyteti i Çikagos nuk ka dhënë leje për protesta në afërsi të vendit ku do të mbahet Kuvendi, por aktivistët thonë se kjo nuk do t’i pengojë ata që të shprehin pakënaqësinë e tyre.

“Duam të marshojmë që të shihemi dhe dëgjohemi në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, ngaqë besojmë që është tejet e rëndësishme që këto kërkesa t’ua parashtrojmë njerëzve që mund të kenë ndikim. Duam që Joe Biden të na dëgjojë”, thotë Liz Rathburn nga organizata “Studentët për një Shoqëri Demokratike”.

Sipas drejtuesit të organizatës “Koalicioni për marshin”, Kobi Guillory, është përgjegjësi e amerikanëve që të protestojnë kundër qeverisë amerikane që, sipas tij, po i ofron përkrahje Izraelit.

“Administrata demokrate, e udhëhequr nga Joe Biden dhe Kamala Harris, po mundëson gjenocidin në Palestinë. Unë jam rritur në Afrikën e Jugut... dhe mendoj se është përgjegjësi e atyre që jetojnë këtu t’i japin fund përkrahjes amerikane për gjenocidin, aparteidin dhe okupimin e Palestinës në përgjithësi”, thotë ai.

Policia në Çikago, e dyta për nga madhësia në Shtetet e Bashkuara, thotë se do ta mbrojë qytetin.

“Duam që njerëzit të ushtrojnë të drejtat e tyre dhe do t’i mbrojmë. Por nuk do të tolerojmë krime, dhunë dhe vandalizëm. Gjithmonë do ta mbrojmë qytetin tonë. Jemi gati dhe do të jemi gati për muajin gusht”, thotë Larry Snelling, Drejtor i Departamentit të Policisë së Çikagos.

Tensionet u ngjajnë atyre të vitit 1968, kur gjatë Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike që u mbajt në këtë qytet, policia reagoi me forcë ndaj protestuesve që po demonstronin kundër luftës në Vietnam.

Protestat e atëhershme kundër kuvendit të Partisë Demokratike ishin në vargun e trazirave të shumta nëpër qytetet amerikane që erdhën si reagim pas vrasjes së aktivistit Martin Luther King, vetëm disa muaj më parë.

“Protestuesit po trajtoheshin si protestues, që do të thotë se mund të sulmoheshin. Mund të arrestoheshin. Të rriheshin. Ne ishim të këqijtë dhe policia i kishte duart e lira”, thotë Judy Gumbo, protestuese e vitit 1968.

Sipas profesorit të historisë, Kevin Boyle nga Universiteti Northwestern, përgjigja e policisë ndaj protestave ishte shumë e dhunshme, por paralelja midis dy kuvendeve qëndron te konteksti që i rrethon.

“Dy kuvendet mbahen në një kohë kur njerëzit mendojnë se Partia Demokratike po përkrah një luftë që ata nuk e mbështesin dhe ky është një aspekt i krahasimit”, thotë ai.

Por profesori Boyle shpreson që përgjigja e policisë do të jetë e përmbajtur dhe shumë më pak e dhunshme se ajo e vitit 1968.

Autoritetet në Çikago thonë se qëllimi i tyre është të ofrojnë siguri gjatë Kuvendit të Partisë Demokratike dhe se përdorimi i forcës dhe arrestimet do të jenë opsionet e fundit për ta.

XS
SM
MD
LG