Lidhje

Reagime dhe shpresë në Teheran pas fitores së kandidatit të moderuar për president


Zgjedhjet presidenciale në Iran përfunduan me fitoren e kandidatit të moderuar, ish-kirurgut dhe ligjvënësit Masoud Pezeshkian. Banorët në rrugët e kryeqytetit Teheran shprehin optimizëm pas premtimeve për një zbutje të trysnisë ekonomike dhe të ligjeve të ashpra, si dhe për një perspektivë të re në komunikimin me Perëndimin.

Reagime dhe shpresë në Teheran pas fitores së kandidatit të moderuar për president
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:03 0:00

Banorët në kryeqytetin iranian Teheran shprehën reagimet e tyre të shtunën pasi kandidati reformist Masoud Pezeshkian fitoi balotazhin e zgjedhjeve presidenciale.

Zoti Pezeshkian fitoi përballë kandidatit të linjës së ashpër Saeed Jalili, duke premtuar se do të përmirësojë komunikimin me Perëndimin dhe do të lehtësojë zbatimin në vend të ligjeve për mbajtjen e detyruar nga gratë të shamisë së kokës, ndërsa Irani ka përjetuar tashmë vite të tëra sanksionesh ndërkombëtare dhe protestash në vend.

“Masoud Pezeshkiani duhet ta lehtësojë trysninë ndaj njerëzve. Të paktën trysninë ekonomike që përjetojmë, nuk e kam fjalën për politikën... Të gjithë janë sot disi më të gëzuar. Sapo njerëzit dëgjuan se fitoi Pezeshkiani, iu shfaq një buzëqeshje e vogël”, thotë Mohammad Sharifnejad, shofer taksie.

Të tjerë sugjerojnë hapat që mund të ndërmarrë zoti Pezeshkian që të përmirësohet cilësia e jetesës në Iran.

“Për të hequr sanksionet, Masoud Pezeshkiani duhet të arrijë njëherë në një marrëveshje me fuqitë botërore dhe të shikojë se cilat janë kërkesat e tyre dhe tonat. Duhet bërë në një mënyrë që vendi të mos dobësohet. Bisedimet duhet të mundësojnë që të mos ketë sanksione, ndërsa vendi vazhdon të jetë i fortë”, thotë Mahmoud Mohammadi, banor në Teheran.

Zoti Pezeshkian nuk premtoi gjatë fushatës elektorale ndryshime radikale për sistemin teokratik shiit të Iranit dhe e konsideron si arbitër përfundimtar udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei për të gjitha çështjet shtetërore.

Por, edhe objektivat e tij modeste do të sfidohen nga një qeveri iraniane që përbëhet kryesisht nga përfaqësues të linjës së ashpër, nga lufta Izrael-Hamas në Rripin e Gazës, si dhe nga shqetësimet e Perëndimit për pasurimin e uraniumit nga Teherani në nivelet e mjaftueshme për armë bërthamore.

Sipas numërimit të votave të njoftuar nga autoritetet, zoti Pezeshkian fitoi me 16.3 milionë vota, përkundër 13.5 milionë votave të marra nga kandidati tjetër Jalili.

Në total, ministria e Brendshme iraniane njoftoi se 30 milionë njerëz ushtruan të drejtën e votës në këto zgjedhje që u zhvilluan pa monitorim ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG