Lidhje

Viktor Orban bisedon me Putinin për paqen në Ukrainë, duke nxitur protesta në BE


Kryeministri hungarez Viktor Orban zhvilloi bisedime mbi një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë me presidentin rus Vladimir Putin të premten, duke zemëruar disa udhëheqës të Bashkimit Evropian të cilët paralajmëruan kundër “përkëdheljes” së Moskës dhe thanë se ai nuk mund të flasë në emër të BE-në.

Hungaria mori presidencën e radhës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian të hënën. Që nga ajo ditë ai vizitoi presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në Kiev dhe formoi aleancën "Patriotët për Evropën" me nacionalistët e tjerë të krahut të djathtë.

Më pas ai shkoi në Moskë në një "mision paqeje", disa ditë përpara takimit të lartë të NATO-s, që do të trajtojë ndihmën e mëtejshme ushtarake për Ukrainën kundër asaj që aleanca perëndimore e ka quajtur "agresion i paprovokuar” i Rusisë.

Ky ishte takimi i parë i një udhëheqësi të BE-së me presidentin Putin në Moskë që nga prilli i vitit 2022, dy muaj pasi Moska nisi agresionin e saj në shkallë të plotë kundër Ukrainës, dhe i pari për kryeministrin Orban që atëherë, megjithëse të dy janë takuar gjetiu.

Udhëtimi i zotit Orban nxiti kritika të forta nga udhëheqësit e tjerë të BE-së, ndërsa Ukraina tha se nuk ishte konsultuar më parë.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së Josep Borrell tha se kryeministri Orban "nuk po përfaqësonte BE-në në asnjë formë" në Moskë.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se vetëm uniteti dhe vendosmëria brenda 27 vendeve të BE-së do të hapte rrugën drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

“Qasja e butë nuk do ta ndalë Putinin”, shkroi ajo në rrjetin X.

Presidenti Putin, i cili priti kryeministrin Orban në Kremlin, tha se bisedimet kishin qenë të dobishme, por akuzoi Ukrainën se nuk dëshironte t'i jepte fund luftës, duke theksuar se idetë e tij se si t'i jepet fund konfliktit, për të cilat Ukraina ka thënë se janë të barabarta me dorëzimin, janë rruga përpara.

“Zbatimi i tyre, na duket se do ta bënte të mundur ndalimin e armiqësive dhe fillimin e negociatave”, u tha presidenti Putin gazetarëve.

"Unë kam thënë vazhdimisht se ne kemi qenë dhe mbetemi gjithmonë të hapur për të diskutuar një zgjidhje politike dhe diplomatike. Megjithatë, në anën tjetër, ne dëgjojmë për hezitimin për të zgjidhur çështjet në këtë mënyrë”, theksoi ai.

Presidenti Putin tha muajin e kaluar se Rusia do t'i jepte fund konfliktit, të cilin Moska e quan një operacion të posaçëm ushtarak për të mbrojtur sigurinë e saj, nëse Kievi pranonte të hiqte dorë nga aspiratat e tij për anëtarësim në NATO dhe të hiqte dorë nga katër provincat e pretenduara nga Moska. Kërkesat u refuzuan menjëherë nga Kievi si të papranueshme.

Ukraina e sheh planin e saj të paqes prej 10 pikash dhe një takim të fundit ndërkombëtar të bazuar në të, që u mbajt në Zvicër, si rrugën e vetme realiste dhe tha se udhëtimi i zotit Orban në Moskë nuk ishte i bashkërenduar me Kievin.

"Ne ju kujtojmë se për shtetin tonë, parimi 'asnjë marrëveshje për Ukrainën pa Ukrainën' mbetet i palëkundur dhe u bëjmë thirrje të gjitha shteteve ta respektojnë atë në mënyrë të prerë”, tha ministria e Jashtme e Ukrainës në një deklaratë.

Kryeministri Orban, një kritik i ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, i cili ka marrëdhëniet më të ngrohta se çdo udhëheqës tjetër në BE me presidenti rus, tha se nuk kishte mandat të BE-së për udhëtimin, por paqja nuk mund të bëhej "nga një kolltuk i rehatshëm në Bruksel".

"Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të presim që lufta të përfundojë mrekullisht", shkroi ai në rrjetin X.

Ai u tha gazetarëve pas bisedimeve se Hungaria e sheh presidencën e saj të përkohshme të BE-së gjatë "gjysmë vitit të ardhshëm...si një mision paqeje".

"Kjo luftë pasqyrohet gjithashtu në shkatërrimin e zhvillimit tonë ekonomik dhe në rënien e konkurrencës sonë. Shkurt, i thashë presidentit (Putin) se Evropa ka nevojë për paqe".

Megjithëse nevojiten shumë hapa për t'i dhënë fund luftës dhe pozicionet e Moskës dhe Kievit mbetën larg njëri-tjetrit, zoti Orban tha se udhëtimi i tij ishte hapi i parë për të rivendosur dialogun.

Kryeministri Orban, ka bllokuar, vonuar ose zbutur vazhdimisht përpjekjet e BE-së për të ndihmuar Ukrainën dhe për të vendosur sanksione ndaj Moskës. Ai ka argumentuar për një kohë të gjatë për një ndërprerje të armiqësive në Ukrainë, por pa treguar se çfarë mund të thoshte kjo për tërësinë tokësore të vendit ose sigurinë e ardhshme të tij.

Një diplomat i BE-së, që foli me kushtin që të mos i përmendte emri, tha se udhëtimi i zotit Orban tregon se “skepticizmi i vendeve anëtare të BE-së rreth kryesisë së Hungarisë, për fat të keq ishte i arsyeshëm - gjithçka ka të bëjë me promovimin e interesave të Budapestit".

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, akuzoi zotin Orban për dëmtim të presidencës së BE-së. “Nëse vërtet kërkoni paqen, nuk i shtrëngoni duart me një diktator gjakatar, ju bëni të gjitha përpjekjet për të mbështetur Ukrainën”, shkroi ai në X.

Kryeministrja estoneze Kaja Kallas, e cila do të bëhet shefja e ardhshme e politikës së Jashtme të BE, tha se zoti Orban po shfrytëzonte presidencën e BE-së për të mbjellë konfuzion. "BE-a është e bashkuar qartë pas Ukrainës dhe kundër agresionit rus", tha ajo.

Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto u kundërpërgjigj. “Hungaria është një vend i pavarur kështu që nuk mendoj se duhet t'u kushtojmë vëmendje kritikave të tilla. Koha e ka dëshmuar...që pa dialog, pa i mbajtur kanalet e komunikimit të hapura, nuk ka zgjidhje për këtë luftë", tha ai.

Udhëtimi i zotit Orban në Moskë u mbështet nga kryeministri sllovak Robert Fico, i cili u shfaq në publik të premten për herë të parë që nga plagosja e tij në një sulm në muajin maj.

Ai përsëriti thirrjet për bisedime paqeje në konfliktin Ukrainë-Rusi dhe tha se do t'i bashkohej zotit Orban në vizitën e tij në Moskë, nëse do ta lejonte shëndeti.

Hungaria nisi presidencën e saj të BE-së me moton "Ta bëjmë Evropën përsëri të Madhërishme" (MEGA), duke i bërë jehonë sloganit “Ta Bëjmë Amerikën Sërish të Madhërishme” (MAGA) të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, një aleat i zotit Orban dhe kritik i ashpër i BE-së.

XS
SM
MD
LG