Policia shqiptare njoftoi se është ekstraduar të mërkurën nga Greqia drejt Shqipërisë, i shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Laert Haxhiu, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për një sërë veprash penale.
32-vjeçari u soll në pikën kufitare të Kakavijës, në masa të larta sigurie, nga Policia greke dhe është shoqëruar në anën shqiptare nga Forcat Speciale “RENEA”.
Një prej anëtarëve të grupit të Haxhiut, Artan Tafani, tanimë një i penduar i Drejtësisë, u kishte deklraruar autoriteteve se grupi kriminal ishin vënë në shënjestër edhe dy prokurorët: Doloresa Musabelliu e Prokurorisë së Posaçme dhe Merita Selimi, e cila kishte punuar në prokurorinë e Lushnjës.
Sipas Tafanit, grupi i Haxhiut, prej muajsh po ndiqte lëvizjet e dy prokuroreve për të përgatitur vrasjen e tyre ose të familjarëve të tyre.
Prokurorja Selimi, kishte hetuar Haxhiun për një vrasje, mbetur ne tentativë në Lushnjë, duke e klasifikuar veprën penale si një akt të kryer nga një grup i organizuar kriminal dhe duke ia përcjellë dosjen Prokurorisë së Posaçme.
Këtu ishte prokurorja Musabelliu e cila kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm për Haxhiun dhe dy bashkëpunëtorë të tij.
Bashkëpunimi i Tafanit me prokurorinë e Elbasanit, bëri që tetorin e vitit të shkuar autoritete të arrestonin të paktën 12 persona, anëtarë të grupit të Haxhiut, të dyshuar për të paktën 6 vrasje dhe një numër të lartë krimesh të tjera, të kryera në Shqipëri dhe jashtë saj.