Në kërkim të lirisë dhe sigurisë që ofrojnë Shtetet e Bashkuara, shumë afganë aplikojnë për statusin e azilantit. Ndër ta është edhe gazetari Nizakat Parsa, i cili së bashku me familjen e tij bëri një rrugëtim tremujor përmes kontinentit amerikan në kërkim të sigurisë. Njofton nga Sakramento i Kalifornisë, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Fahim Sediqi.
Udhëtimi nga Afganistani për në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara është i gjatë dhe plot rreziqe. Por për gazetarin afgan Nizakat Parsa, shpresa për një jetë më të mirë është më e rëndësishme se rreziqet.
Së bashku me familjen e tij, ai ka mbërritur në kufirin e Kalifornisë, pas një rrugëtimi tremujor.
Në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, zoti Parsa punonte për kanalin Rahe Farda, ku drejtonte emisionin politik “Shpresa e Qytetit” (“Arman Shahar”).
Por, kur talebanët morën pushtetin në vitin 2021, zoti Parsa thotë se kufizimet e vendosura e bënë të vështirë punën në media.
“Si gazetar në Afganistan isha i rrezikuar; nuk kishim siguri. Prandaj vendosëm të vinim në Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.
Me bashkëshorten dhe dy fëmijët, të moshës 12 dhe 9 vjeç, zoti Parsa udhëtoi drejt Iranit në vitin 2022.
Atje familja aplikoi për viza humanitare braziliane, një ndër vendet e pakëta që ofrojnë këtë lloj vize për afganët.
Pastaj ishte pjesa e udhëtimit nëpër 11 vende.
“Kishim parë dokumentarët ku tregohen trupat e udhëtarëve gjatë rrugës. Disa janë ngrënë nga krokodilët p.sh.”, thotë ai.
I nxiste shpresa për një të ardhme më të sigurtë. Por zoti Parsa thotë se udhëtimi më këmbë dhe me varka dukej i rrezikshëm.
“Duhej të ecje nëpër pyje për të paktën katër apo pesë ditë, pa ushqim apo ujë”, thotë zoti Parsa.
Në një moment, familja hipi në varka që lëviznin me shpejtësi në mes të natës.
“Nuk kishim jelekë shpëtimi. Numri i njerëzve në varka ishte i madh. Ishte shumë e vështirë”, thotë ai.
Pasi mbërritën në Meksikë, zoti Parsa u regjistrua për një takim nëpërmjet aplikacionit të Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Kufirit dhe Doganave. Një muaj më pas, iu lejua hyrja për në Shtetet e Bashkuara.
Shumë afganë kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara për shkak të shumëllojshmërisë së popullsisë, sigurisë më të mirë dhe mundësive arsimore, thotë konsulenti për emigracionin, Hashmatullah Sidiqi.
“Siç dihet, Shtetet e Bashkuara kanë vlerat e demokracisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut”, thotë ai.
Zoti Sidiqi thotë se programi i agjencisë për kufirin ndihmon afganët, si zoti Parsa.
“Përfitojnë leje pune. Regjistrohen tek sigurimet shoqërore. Aplikojnë ligjërisht për statusin e azilantit. Për shkak të persekutimit të tyre u miratohet në vazhdim statusi i azilantit”, thotë zoti Sidiqi.
Tashmë familja gjendet e sigurtë në Shtetet e Bashkuara. Zoti Parsa është gati për hapin e ardhshëm – aplikimin për azil për të siguruar një të ardhme më të mirë.