Lidhje

Rudy Giulianit i hiqet leja e ushtrimit të profesionit të avokatit në Nju Jork


Rudolph Giuliani-t, ish-kryebashkiaku i qytetit të Nju Jorkut, prokuror federal dhe avokat i ish Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, iu hoq leja e ushtrimit të profesionit të avokatit në Nju Jork. Vendimi u mor pasi një gjykatë tha se ai ka bërë vazhdimisht deklarata të rreme zgjedhjet e vitit 2020 që u humbën nga ish Presidenti Trump.

Një gjykatë apeli në Nju Jork vendosi që zoti Giuliani, të cilit tashmë i ishte pezulluar licenca e punës në Nju Jork në vitin 2021 për shkak të deklaratave të rreme që ai bëri pas zgjedhjeve, tani është përfundimisht i përjashtuar nga e drejta të ushtrojë profesionin e avokatit. Vendimi hyn në fuqi menjëherë. Emri i tij është hequr nga lista e avokatëve në shtetin e Nju Jorkut.

Avokati i zotit Guliani, Arthur Aidala tha se padyshim që “jemi të zhgënjyer” por jo të befasuar nga vendimi. Ai tha se u bënë përpjekje të mëdha për të ndaluar vendimin, por ekpi mbrojtës e kuptoi me kohë se nuk do të kishte mundësi për ta kundërshtuar vendimin.

Gjykata shprehet në vendimin e saj se zoti Giuliani "në thelb i pranoi" shumicën e fakteve që mbështesin veprimet e dyshuara të sjelljes së tij të papërshtatshme gjatë seancave të mbajtura në tetor të vitit 2023. Në vendim thuhet që ai u justifikua se “nuk e dinte që deklaratat që kishte bërë ishin të rreme dhe se ai thjeshtë kishte besuar argumentat që bëri për të mbështetur pretendimin e klientit të tij (Trump-it) se i ishte vjedhur fitorja në zgjedhjet e vitit 2020.”

Gjykata tha më tej se zoti Giuliani “në mënyrë të rreme dhe të pandershme” pretendoi që gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 mijëra vota u hodhën duke shfrytëzuar emrat e njerëzve të vdekur në Filadelfia, përfshirë një fletë votimi që u hodh në emër të ish kampionit të boksit, të ndjerit Joe Frazier. Ai gjithashtu pretendoi në mënyrë të rreme se njerëzit ishin marrë nga Camdeni, një qytet pranë Nju Xhersit, për të votuar në mënyrë të jashtëligjshme në qytetin e Pensilvanisë, tha gjykata.

Zotit Giuliani i ndalohet në çdo formë ushtrimi i profesionit të avokatit apo këshilltarit ligjor.

Përpara se të dorëzonte në gjykatë ankesat e ekipit të zotit Trump për zgjedhjet e nëntorit të vitit 2020, Rudy Giuliani nuk ishte paraqitur në gjykatë si avokat që nga viti 1992.

Vendimi vjen në mes të vështirësive në rritje për zotin Giuliani, i cili paraqiti kërkesën për falimentim vitin e kaluar pasi u urdhërua të paguante 148 milionë dollarë dëmshpërblim për dy ish-punëtorë të zgjedhjeve në Xhorxhia. Vendimi u mor pasi ai u shpall fajtor se kishte përhapur gënjeshtra rreth këtyre dy personave, duke i dëmtuar ata në jetën e tyre, si dhe duke i vënë në qendër të kërcënimeve dhe ngacmimeve raciste.

Ai po përballet gjithashtu me akuza penale në Xhorxhia dhe Arizona për rolin e tij në përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Ai ka thënë se është i pafajshëm në të dyja rastet.

Në Xhorxhia, ai është akuzuar për deklarata të rreme, për komplot për të krijuar dokumente të rreme, si dhe për kërkesën që u ka bërë ligjvënësve të shtetit të shkelin betimin për të emëruar një listë alternative elektorësh që do të ishin pro ish Presidentit Trump.

Aktakuza në Arizona thotë se zoti Giuliani ka ushtruar trysni ndaj zyrtarëve të qarkut Maricopa dhe ligjvënësve të shtetit për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve të Arizonës. Ai gjithashtu akuzohet se ka inkurajuar elektorët e këtij shteti që të votojnë për zotin Trump në dhjetor të vitit 2020 përkundër rezultatit që tregonte se ishte kandidati Joe Biden ai që kishte fituar zgjedhjet në këtë shtet.

Rudy Giuliani e ndërtoi personalitetin e tij publik si prokuror federal në Manhatan në vitet 1980, në luftën e suksesshme kundër mafias. Reputacioni si zbatues i fortë i rendit dhe ligjit e ndihmoi atë ta futej në politikë, duke u zgjedhur kryebashkiak i qytetit më të populluar të Shteteve të Bashkuara.

Ai ishte në krye të bashkisë, kur qyteti u godit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 dhe për shkak të rolit që luajti në ato kohë iu dha nofka ‘kryebashkiaku i Amerikës’. Politikani republikan u lavdërua për mënyrën se si e udhëheqi qytetin pasi dy aeroplanët u përplasën në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë, duke vrarë më shumë se 2700 njerëz.

Por pas kandidimeve të pasuksesshme për Senat dhe për President të Shteteve të Bashkuarapas dhe një karriere fitimprurëse si konsulent zoti Giuliani e shkatërroi imazhin e tij si një politikan i qëndrës, që mund të shkonte mirë me demokratët, pasi u bë një nga mbrojtësit më besnikë të zotit Trump.

Ai ishte mbështetësi kryesor i pretendimeve të rreme të zotit Trump për mashtrime elektorale gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

Gënjeshtrat rreth rezultateve të zgjedhjeve nxitën një turmë të zemëruar pro zotit Trump për të sulmuar Kapitolin më 6 janar të vitit 2021, në një përpjekje për të ndaluar certifikimin e fitores së Presidentit Biden.

XS
SM
MD
LG