Lidhje

Izraeli sulmon qytetin e Khan Younisit, vriten të paktën 8 persona


Të paktën tetë palestinezë u vranë gjatë sulmeve ajrore izraelitete ndaj qytetit të Khan Younisit, bënë të ditur zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi.

Qyteti në jug të Rripit të Gazës u bombardua një ditë pasi Izraeli urdhëroi evakuimin e civilëve palestinezë.

Të martën ushtria izraelite bëri të ditur se sulmet ajrore gjatë natës ishin përqendruar në një zonë të Khan Younisit, ku militantët kishin lëshuar 20 raketa drejt vendbanimeve izraelite.

Sulme të tjera ajrore kishin në shënjestër qytetin jugor të Rafahut, ndërsa trupat tokësore izraelite kryen operacione kundër Hamasit në pjesën qendrore të Gazës.

Stephane Dujarric, zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, u tha gazetarëve të hënën se urdhri izraelit për evakuim nga Khan Younis tregon "se në Gazë nuk ka më asnjë vend të sigurt dhe se duhen bërë më shumë përpjekje për të mbrojtur civilët".

Izraeli u ka bërë thirrje vazhdimisht palestinezëve të largohen nga disa pjesë të Gazës, zakonisht përpara ndërmarrjes së ndonjë sulmi, si pjesë e përpjekjeve që Izraeli thotë se kanë për qëllim mbrojtjen e civilëve.

Lufta Izrael-Hamas shpërtheu pas sulmit më 7 tetor të vitit 2023 nga grupi militant ndaj shtetit hebre duke vrarë rreth 1200 persona e marrë peng më shumë se 250 të tjerë.

Si pasojë e kundërpërgjigjes izraelite janë vrarë deri tani rreth 38,000 persona sipas ministrisë së Shëndetësisë në Gazë dhe pjesë të tëra të territorit, janë shndërruar në gërmadhë.

XS
SM
MD
LG