Lidhje

Rusia thotë se rrëzoi 36 dronë ukrainas


Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të hënën se mbrojtja ajrore e vendit rrëzoi 36 dronë ukrainas që ishin të përfshirë në sulmet në rajonet ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.

Ministria tha se forcat ruse rrëzuan 18 dronë mbi rajonin Bryansk, nëntë mbi rajonin Kursk dhe nëntë të tjerë mbi Belgorodin.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori rajonal i Belgorodit, njoftoi për dëmtimin e shtëpive në dy fshatra dhe shkroi në aplikacionin për shpërndarjen e mesazheve 'Telegram' se disa zona kishin mbetur pa energji elektrike, pas sulmeve.

Guvernatorët e Bryansk-ut dhe Kursk-it thanë se nuk kishte të lënduar apo dëme të raportuara në zonat e tyre.

Rusia gjithashtu njoftoi për fitore në fushën e betejës të hënën, duke thënë se forcat e saj kishin marrë nën kontroll fshatin Stepova Novoselivka në rajonin verilindor të Kharkivit dhe fshatin Novopokrovka në rajonin lindor të Donetsk-ut.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë bërë ende komente për situatën në Kharkiv apo Donetsk.

Forcat ajrore të Ukrainës lëshuan alarme për sulme me raketa të hënën në Ukrainën jugore dhe lindore, të cilat janë objektiva të shpeshta të sulmeve me dronë nga Rusia.

Serhiy Lysak, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, tha të hënën në 'Telegram' se forcat ruse kryen një sulm me raketa në qytetin e Dnipros, duke plagosur shtatë persona.

Zoti Lysak tha se sulmet ruse të dielën në mbrëmje përfshinin artileri dhe dronë që dëmtuan disa ndërtesa dhe një tubacion gazi në Nikopol.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përsëriti kërkesën gjatë fundjavës që vendet të cilat ofrojnë ndihmë ushtarake për Ukrainën, të lehtësojnë më tej kufizimet në përdorimin e armëve perëndimore për të goditur objektivat ushtarake, brenda Rusisë.

“Duhen vendime të qarta për të ndihmuar në mbrojtjen e njerëzve tanë,” tha ai.

“Sulmet me rreze të gjatë dhe mbrojtja moderne ajrore janë baza për ndalimin e terrorit të përditshëm rus. Falenderoj të gjithë partnerët tanë që e kuptojnë këtë.”


Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencitë e lajmeve 'Associated Press', 'Agence France-Presse' dhe 'Reuters'.

XS
SM
MD
LG