Lidhje

Vështirësitë e personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri


para-tetraplegjikë Shkoder
para-tetraplegjikë Shkoder

Në Shqipëri regjistrohen rreth 140 mijë persona me aftësi të kufizuar, pjesa më e madhe e të cilëve përballen me vështirësi dhe probleme në lëvizje, marrjen e shërbimeve sociale dhe shëndetësore, punësim dhe procesin e integrimit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, ishte në mjediset e shoqatës se para-tetraplegjikëve në Shkodër, ku u njoh me problemet dhe shqetësimet e personave me aftësi te kufizuar dhe mbështetjen që po u jepet atyre nga një çift vullnetarë nga SHBA.

Vështirësitë e personave me aftësi të kufizuar në Shqipëri
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:55 0:00

Rreth 50 persona me aftësi të kufizuar i janë bashkuar kampit veror 2024 në mjediset e shoqatës së tyre të para dhe tetraplegjikëve në Shkodër.

Kampi veror është nxitur dhe mbështetur nga dy bashkëshortët amerikanë, vullnetarët Donna dhe Chris Ellsworth, të cilët thonë se ishte dëshira e tyre që personat me aftësi të kufizuar t’i bënin bashkë me synimin që edhe ata të njohin njëri-tjetrin dhe jetën e gjithsecilit.

“Çfarë ne kuptojmë, thotë Donna Ellsworth, është se të gjithë janë me nevoja të veçanta dhe se ata pëlqejnë shoqërimin me njëri-tjetrin, një mundësi kjo për t’i bërë bashkë për të biseduar dhe zbuluar se kanë të njëjtat ndjenja dhe probleme. Unë mendoj, thotë zonja Ellsworth, se ata kanë nevojë për përkrahje dhe për tu ndërgjegjësuar se janë persona të mrekullueshëm dhe me aftësi të veçanta”.

Bashkëshortët Ellsworth kanë udhëtuar në shumë vende të botës për të mbështetur personat me aftësi të kufizuar dhe për t’i ndihmuar që të bëjnë çdo gjë që kanë mundësi dhe që dëshirojnë të bëjnë në jetën e tyre.

“Personat me aftësi të kufizuar kanë nevojë për përkrahje fizike dhe emocionale, në mënyrë që të vazhdojnë të përparojnë në rrugën e vështirë të riaftësimit dhe mbështetjes tek vetja”, thotë Chris Ellsworth.

Saimir Ustabeqiri, i cili drejton shoqatën, thotë se, gjatë qëndrimit në kampin veror 2024 personat me aftësi të kufizuar ndjekin përmes ekranit përvojat dhe mesazhet e personave me aftësi të kufizuar nga vende të ndryshme të botës, marrin pjesë në lojëra dhe ushtrime që ua lehtësojnë komunikimin dhe lëvizjen.

“Është një veprimtari e bukur që përcjell një mesazh për këta persona, për të cilët nuk kujtohet kush. Ne po përpiqemi që të bëjmë diçka ndryshe për t’i nxjerrë nga shtëpia, prej monotonizmit, stresit të akumuluar dhe shumë e shumë problemeve të tjera. Me kalu disa ditë ndryshe, me shoqëri dhe shokë të cilët i kanë për zemër por i shikojnë shumë rrallë për shkak të shumë problemeve që janë në vendin tone”, thotë ai.

Në Shqipëri regjstrohen rreth 140 mijë persona me aftësi të kufizuar, por vetëm gjysma e tyre përfitojnë mbështetje financiare nga shteti, mbështetje që është e vogël përballë nevojave të mëdha që kanë këta persona.

I gjendur prej shumë vitesh në karrocën me rrota, Muhamedin Alijahaj thotë se shoqëria dhe shteti mund të bëjnë më shumë për personat me aftësi të kufizuar.

“Me këto paga që kanë njerëzit me aftësi të kufizuar as për ilaçet nuk ju dalin. Po me hangër, po me pi? Ku asht pushteti? Ku asht qeveria për të na lehtësuar vuajtjet, për të na lehtësuar ekonominë, për të na dhënë një ndihmë që edhe ne të jemi të barabartë. Se kur nuk na përkrah kush si jena të barabartë?”, thotë ai.

Shoqata e para dhe tetraplegjikëve në Shkodër ka mundësi të kufizuara për të plotësuar nevojat e anëtarëve të saj, numri i të cilëve sa vjen dhe rritet nga viti në vit. Shoqata, thotë drejtuesi i saj Saimir Ustabeqiri, edhe ky person me aftësi të kufizuara, mbështetet kryesisht në donacionet e shoqatave vendase dhe të huaja si dhe puna e një grupi të përhershëm vullnetarësh.

Pjesë e kampit veror 2024 me personat me aftësi të kufizuar janë edhe 7 vajza vullnetare, pjesa më e madhe studente. Prej disa vitesh ato janë bërë pjesë e shoqatës së para & tetraplegjikëve të Shkodrës në mbështetje të personave me aftësi të kufizuar.

“Jam vullnetare prej tre vitësh në këtë shoqatë, thotë studentja Sabina Anza. Jam ofruar si vullnetare për arsye se këta persona kanë shumë sfida në jetën e tyre, kanë shumë problematika. Kanë nevojë për shumë ndihmë, sidomos për të respektu nevojat e tyre të shumta”.

Shqipëria ka miratuar planin kombëtar 2021-2025 për personat me aftësi të kufizuar, ku parashikohet një mbështetje më e gjërë për këtë kategori të personave në nevojë. Megjithatë, shumë prej problematikave të këtij plani vazhdojnë të mbeten pa u zbatuar në aspektin e qasjes së këtyre personave për të qenë të barabartë me të tjerët në mjedise të ndryshme, në transport, teknologji informacioni e komunikimi, si dhe për të gjitha lehtësirat e tjera në shërbimet publike, punësim dhe shërbimin shëndetësor.

XS
SM
MD
LG